Sigurimi i detyrueshëm i makinës do të bëhet më i kushtueshëm gjatë 2025-ës.
Me hyrjen në fuqi të rregullores së re kompanitë e sigurimeve e kanë të përcaktuar të vendosin për çmimin e primit mbi ato që quhen faktorë risku.
Vlera e primit mund të jetë deri në 30% më e shtrenjtë nëse siguracioni do të blihet për një shofer të moshës 18 – 21 vjeç. Për të njëjtën model makine primi shkon automatikisht në 23 811 lek.
Me sistemin e ri kompanitë e sigurimit ofrojnë edhe zbritje çmimi. Shoferët e qarkut Dibrës, Kukës dhe Berat përfitojnë një ulje minimale prej 500 lek sipas rregullave të reja.
Ndërkohë ende nuk është aktivizuar sistemi Bonus Malus i përcaktuar sipas ligjit të ri për siguracionin e detyrueshëm, ku shoferët që janë të kujdesshëm dhe me historik të mirë përfitojnë ulje në pagesën e primit.
Sipas rregullores ky sistem shpërblyes do të fillojë nga 2026-ta bazuar mbi historikun e 2025-ës. Për shoferët që kanë historik të gjatë aksidentesh primi do të jetë më i shtrenjtë.
Drejtoria e Transportit Rrugor bën me dije se janë 914 mijë mjete motorike të regjistruara në Shqipëri. 80.7% janë autovetura ndërsa 541 mijë prej tyre apo pothuajse 73% e tyre janë me vjetërsi mbi 15 vite.
Tarifat e reja ende duhet të miratohen nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, që mund t’i kërkojë kompanive të rishikojnë çmimet nëse konstaton se arsyetimi për rritjen nuk qëndron, raporton tch.