Telegrafi

Shtrenjtohet jeta

Qeveria e Kosovës duket se i ka rënë në fije si t`ua zvogëlojë shpenzimet e luksit qytetarëve të saj. Me rritjen e akcizës për duhan dhe derivate, shumë kosovarë ka gjasa ta lënë duhanin dhe t`i parkojnë veturat e tyre në garazh.

Një pako cigare me tarifat e reja të akcizës do të jetë më e shtrenjtë për 20 centë që në start, ndërkaq një litër naftë ose benzinë do të jetë minimumi për 7 centë më e shtrenjtë. Me këto para, nga të hyrat shtesë të importit të mallrave luksoze, Qeveria e Kosovës sado pak do të ndihmojë financiarisht në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Kosovës, Ahmet Shala, ka thënë se rritja e akcizës është kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që të krijohen mjete të mjaftueshme për të financuar projektet sociale dhe investimet kapitale.

Sipas tij, kjo është dietë e FMN-së dhe përfshin rritje të akcizës për duhan nga 21 euro për kilogram në 25 euro për kilogram, akcizës për naftë nga 0.31 euro për litër në 0.36 euro për litër, për benzinë nga 0.33 euro për litër në 0.38 euro për litër dhe për butan gaz nga zero euro në 0.10 euro për litër. /Express/Telegrafi/