Telegrafi

Shtrenjtohen edhe më shumë kreditë

”Diferenca ndërmjet normave të interesit në kredi dhe normave të interesit në depozita në tremujorin e parë të vitit 2011 ishte 11.3 për qind”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Ekspertët e ekonomisë thonë se bankat komerciale në vend janë duke e shfrytëzuar mungesën e cash-it në vend, prandaj po aplikojnë norma të larta të interesit, sidomos në kredi.

“Bankat po e shfrytëzojnë mungesën e cash-it në vend, prandaj po aplikojnë kamata të larta në kredi. Kreditë që jepen nga bankat duhet të jenë në funksion të zhvillimit të biznesit, e jo të ngufatjes së tyre”, shprehet Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).

Sipas tij, bankat po e shfrytëzojnë situatën që të aplikojnë kamata të larta në kredi në një moment adekuat për vendin, ndonëse kamatat e tilla janë pengesë për zhvillim. Rukiqi sqaron se kreditë që merren nga bankat kryesisht po shfrytëzohen për aktivitete të tregtisë, aktivitete afatshkurtra, e jo për aktivitete afatgjate.

Edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, më herët është shprehur i pakënaqur me kamatat e larta në kredi që aplikohen nga bankat.

Ndryshe, në tremujorin e parë 2011, sipas BQK-së, sistemi bankar i Kosovës realizoi fitim të pastër në vlerë prej 5.4 milionë euro, i cili është për 23 për qind më i ulët krahasuar me profitin e realizuar një vit më parë.

Në zvogëlimin e profitit të sistemit bankar gjatë kësaj periudhe ka ndikuar rritja më e shpejtë e shpenzimeve, në krahasim me rritjen e të hyrave të bankave komerciale.

Në kuadër të shpenzimeve të sistemit bankar, kategoritë që më së shumti kontribuuan në rritjen e nivelit të përgjithshëm të shpenzimeve ishin shpenzimet e jointeresit dhe shpenzimet për provizione. /Telegrafi/