Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar edhe një herë pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë – ZRrE, për bllok tarifat e reja, ku nga data 9 shkurt, qytetarët të cilët do të shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj, do të paguajnë faturat e energjisë elektrike me çmim më të lartë.
Haradinaj ka pyetur se si do të bëhet llogaritja e faturave të KESCO, kur nga data 9 shkurt asnjë vizitë nuk është bërë nga ekipet e tyre, transmeton Telegrafi.
Kreu i AAK-së thotë se Avokati i Popullit duhet të vihet në funksion pas vendimit të ZRRE-së.
“Si do të bëhet llogaritja e faturave të KESCO nga data 9 shkurt, kur asnjë vizitë nuk është bërë me datën 8 shkurt nga ekipet e tyre (e kam fjalën për njehsorët që nuk mund të lexohen nga distanca). ZRRE për 800 kilovatët nuk specifikon se sa do të mirren nga tarifa e ulët e sa nga tarifa e lartë. Nëse vërtetë ekziston Avokati i Popullit në funksion të popullit, do të duhej të vihej në funksion menjëherë për këtë vendim arbitrar në dëm të qytetarëve e pa kurrfarë baze ligjore”, ka thënë ai.
Ndryshe, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në mbledhjen e fundit ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kWh.
Sipas ZRrE-së, të gjithë konsumatorët që shpenzojmë më shumë se kjo bllok tarifë do të paguajnë me dy çmime të reja. Vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike ka hyrë në fuqi më 09 shkurt dhe do të zbatohet deri më 31 mars 2022./Telegrafi/