Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas ngritjes së fundit të çmimeve të karburanteve, duke thënë se Qeveria aktuale po tregohet e paaftë në përballjen me krizën aktuale.
“Sot, çmimi i naftës ka arritur në 1.60 euro për litër. Nga ky çmim, qytetarët e Kosovës i paguajnë plot 60 cent tatim e akcizë Qeverisë. Pra nuk i paguajnë vetëm çmimet e ngritura ndërkombëtare të naftës; i paguajnë edhe apetitet e Qeverisë për t’iu marrë më shumë para e taksa edhe në kohë krize. 60 cent nga 1.60 euro për çdo litër është shumë. Nga çdo mbushje 25 euroshe, qytetarët i paguajnë 15 euro naftë e gati 10 euro tatim. Dhe me çdo rritje të çmimit ndërkombëtar, ky tatim po bëhet dhe me i lartë e çmimi edhe më i papërballueshëm”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai thotë se LDK prej javësh ka ngritur këto shqetësime, por sipas tij veprimet e Qeverisë deri më tani janë inekzistente.
“Ka disa javë që LDK ka ngritur në Kuvend vëmendjen për rritjen e vazhdueshme të çmimit të naftës – dhe produkteve tjera si rrjedhojë. Ka disa javë që kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ofrojë një pako politikash fiskale që zbusin këtë ngritje. Por, si me çdo temë tjetër tashmë, veprimet e Qeverisë janë ose të vonshme ose inekzistente”, ka shkruar ai, përcjell Telegrafi.
Abdixhiku thotë tutje se pos çmimit Kosova mund të përballet edhe me mungesë të sasisë së naftës në treg.
“Natyrisht se lëvizjet e tilla në çmime janë si pasojë e krizës globale me furnizim nafte. Ne nuk prodhojmë naftë, por e blejmë atë. Madje, me thellimin e mëtutjeshëm të krizës, edhe vet blerja do të jetë më e vështirë. Do të kemi probleme edhe me çmim edhe me sasi. Megjithatë, ndonëse është krizë globale, Qeveritë ekzistojnë për të ndërmarrë masa nacionale. Për t’i përballur krizat e jo vëzhguar ato. Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë – si me çdo temë tjetër, e vonuar. Inekzistente në reagim, e paaftë në zgjidhje. Vështron krizat, por s’merr asnjë masë. Ky vëzhgim i saj natyrisht se kushton”
Abdixhiku ka propozuar që në urgjencë të merren disa vendime:
1.Të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja në naftë për tre muajt e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm të qytetarëve tanë, por sidomos të bujqve e transportuesve në vend, ndikimi i të cilëve në produkte e shërbime të tjera do të jetë edhe më i lartë.
2.Në vijë me praktikat e shumta ndërkombëtare, të vendoset racionimi i sasisë së naftës që një individ mund të blejë. Duhet të pranojmë që jemi në krizë, furnizimet e kufizuara duhet të ndodhin sa më parë.
3.Qeveria të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjate. Në kohë si këto, relacionet ndërshtetërore janë esenciale.
4.Të ofrohet një plan afatgjatë i përballueshmërisë. Qeveria të reagojë sa më parë. Ndonëse do të jetë sërish e fundit në reagim, praktika e vëzhgimit e arsyetimit se kjo është krizë globale është braktisje e re e qytetarëve edhe në një krizë.