Telegrafi

Shtrenjtimi i ngrohjes reagon KMDLNJ

Sipas KMDLNJ-së, edhe çmimet e mëparshme kanë qenë ndër më të lartat në rajon dhe shtrenjtimi i paralajmëruar prej 50 për qind është një ngarkesë tepër e madhe për qytetarët që edhe ashtu në shumë raste janë përfitues të skemës sociale.

Mosinkasimi i mbi 15 milionë euro borxhe të pa paguar nuk është arsye që nga ZRRE-ja të kërkohet ngritje aq e madhe e çmimeve për ngrohje.

“ZRRE, gjatë shqyrtimit të kërkesës së Termokos-it duhet ta ketë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve dhe mos të lejojë rritjen e çmimit për ngrohje. Termokos-i, në pamundësi të gjejë mënyrë efikase për inkasimin e borxheve, me rritjen eventuale të çmimit po i ndëshkon paguesit e rregullt dhe të disiplinuar”.

KMDLNj gjithashtu e kundërshton mënyrën se si sillet Termokosi me qytetarët e Prishtinës të cilët e pësojnë, pa fajin e tyre. Paralajmërimi i Termokos-it se për shkak të rritjes së çmimit të mazutit në bursat botërore mund edhe të mos ketë furnizim me ngrohje, është shantazh i llojit të vet. /Telegrafi/