Site icon Telegrafi

Shtrëngimi i duarve, një zakon që duhet ndryshuar!?

Ilustrim

Në shumë gazeta e revista prestigjioze të huaja, thuhet se bota nuk do të jetë më e njëjta kur Pandemia e Covid-19-shit të ketë mbaruar. Në fakt, njerëzimi gjithmonë ka qenë në një proces të vazhdueshëm ndryshimi dhe ritmet tij këto dy shekujt e fundit janë përshpejtuar mjaft. Mësimet e nxjerra nga Covid-19 duhet të vlejnë për të marrë masa që pandemi të tilla të mos përsëriten më! E, nëse disa nga këto masa i duhen lënë shkencëtarëve dhe ekspertëve, sepse veç ata mund të merren me çështje të ndërlikuara si siguria e laboratorëve, futja e teknologjive e mjeteve të reja për të parandaluar e luftuar viruset, është edhe një masë e thjeshtë parandaluese që do të sillte mjaft përfitime për shëndetin e njerëzve: braktisja e zakonit të shtrëngimit të duarve!

Një nga këshillat që jepen për parandalimin e përhapjes së koronavirusit është shmangia e shtrëngimeve të duarve. Kjo këshillë nuk jepet më kot. Dora është një rrugë transmetimi mikrobesh të dëmshme, si viruset e gripit, bakteret e ndryshme (përfshirë bakteret fekale) dhe së fundmi u bë mënyrë për të përhapur edhe koronavirusin. Pra, duart janë të pista! Sipas disa studimeve, vetëm pesë për qind e njerëzve, pasi shkojnë në tualet, i lajnë mjaftueshëm duart me sapun për të larguar mikrobet e dëmshme. Madje, ka nga ata që nuk i lajnë fare; plot 15 për qind e meshkujve dhe shtatë për qind e femrave. Studime të tjera këtë numër e konsiderojnë edhe më të lartë. Gjithsesi, këto fakte nuk i kanë bërë njerëzit të heqin dorë nga zakoni vjetër i përshëndetjes përmes shtrëngimit të duarve. Por, koronavirusi e ka bërë edhe më të nevojshme se kurrë që të flitet për këtë temë…

Zakoni i shtrëngimit të duarve është një zakon aq i vjetër sa askush nuk mund ta thotë saktësisht e me siguri se kur ka filluar. Mendohet se e ka zanafillën nga Greqia e lashtë. Zgjatja e dorës së hapur simbolizonte paqen, sepse vërtetonte se në dorë nuk mbahej një kamë.

Por, zakonet e dëmshme duhen ndryshuar! Mendoj se ka ardhur koha të gjejmë një mënyrë tjetër për tu përshëndetur. Uroj dhe shpresoj që në botën e re post-Covid, ky zakon të hiqet e njerëzit të mos përshëndeten duke i shtrënguar duart njëri-tjetrit! Kjo gjë veçse do të na e përmirësonte cilësinë e jetesës.

Shumëkujtë, ky propozim mund t’i duket absurd e do të pyes me habi apo shpoti se si mund të ndryshojmë një zakon që ka rezistuar për mijëra vjet?! Por, a humbasim gjë nëse e bëjmë? Nëse ndryshimi nuk sjell asnjë pasojë negative, por e kundërta ka një sërë benefitesh, a nuk ia vlen ta realizojmë? Nuk më duket argument thjeshtë fakti se është një zakon i vjetër. Zakoni i shtrëngimit të duarve ka lindur kur ende nuk dihej se duart ishin burim transmetimi infeksionesh. Deri në fund të shekullit XIX, njerëzit nuk e dinin se duart duheshin larë (e bënin vetëm kur i duhej të hiqnin një erë të keqe) dhe qe shumë e vështirë t’i mbushje mendjen se larja e duarve i mbronte nga sëmundjet. I pari që ngriti zërin ishte mjeku hungarez Ignaz Semmelweis, që në vitin 1848 bëri lidhjen mes larjes së duarve dhe shëndetit. U sulmua, u denigrua, u hoq nga puna dhe vitet e fundit të jetës i kaloi në çmendi. Nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime! Nën shembullin e tij po marr edhe unë guxim dhe po e quaj shtrëngimin e duarve një zakon primitiv.

Ndryshimi që po propozoj, nuk prek asnjë sferë të marrëdhënies së shëndetshme fizike dhe shpirtërore mes njerëzve. Nuk po sugjeroj të heqim dorë nga përqafimet, puthjet apo nga shtrëngimet e duarve mes njerëzve të afërt që përmes këtij gjesti duan të ndjejnë e përcjellin emocione. Propozoj të mos shtrëngojmë duart kur për shembull përshëndesim në rrugë të njohur apo të panjohur, kur kemi takime pune, kur na prezantojnë dikë në kafe etj. Popuj të ndryshëm të botës kanë mënyra të tjera për tu përshëndetur në raste të tilla dhe ja kanë dal më së miri me to.

Besoj se ka ardhur koha të punojmë fort për të zhdukur këtë zakon. Shkrimi nuk sugjeron heqjen e këtij zakoni me detyrim. Është e drejta e kujtdo të përshëndesë të tjerët si dëshiron! Synimi është ndryshimi i mentalitetit. Zgjedhja për të mos shtrënguar duart të mos paragjykohet e të mos konsiderohet si mungesë edukate, por si gjëja e duhur për të bërë. Nuk kemi pse e tregojmë respektin duke i transmetuar viruse e baktere njëri-tjetrit. Ka mënyra të tjera për ta bërë këtë. Mjafton të jemi korrekt, besnikë, të thjeshtë e të japim sa më shumë dashuri.

Nuk jam i vetëm në këtë ide. Duke lexuar për këtë temë, mësova se disa personalitete botërore të mjekësisë ishin prononcuar gjithashtu në favor të saj. Mes tyre është edhe mjeku i njohur Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar Amerikan të Sëmundjeve Infektive, si dhe këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump, i cili është shprehur: “Si shoqëri duhet të harrojmë shtrëngimin e duarve! Nuk kemi nevojë për të! Duhet ta thyejmë këtë zakon sepse është një nga rrugët kryesore të transmetimit të sëmundjeve si kjo e koronavirusit”.

Çka synoj është që këto sugjerime të mos mbeten të veçuara e të harrohen shpejt. Të mos jenë mendime që nuk guxon askush t’i thotë me zë të lartë sepse përballë ka një zakon mijëra vjeçar për të shembur.

Nuk më takon mua të jap një alternativë për shtrëngimin e duarve. Kjo duhet bërë me sondazhe e referendume. Nga vende të ndryshme të botës, mund të gjenden forma përshëndetjeje për tu marrë si modele. Një të tillë e kemi pasur edhe ne dhe mendoj se është mjaft e bukur dhe simbolike: Vendosja e dorës në zemër.

Besoj fort në kulturën perëndimore. E admiroj atë! Përmes institucioneve të saj demokratike dhe me arritjet e saj në shkencë e art, kjo kulturë ka prodhuar një mirëqënie që kurrë nuk ish parë në historinë e njerëzimit. Nuk jam në një mendje me ata që propozojnë të heqim dorë nga disa të drejta e liri personale, në emër të sigurisë. Koronavirusi nuk ka përse prodhon revolucione e as diktatura. Eliminimi i zakonit të shtrëngimit të duarve nuk do të cenojë liritë e të drejtat tona, nuk do të na distancojë nga njëri-tjetri, nuk do të përmbysë traditat e popujve e as vlerat perëndimore, thjeshtë do të ndikojë pozitivisht në shëndetin e qindra miliona njerëzve.

Exit mobile version