Telegrafi

Shtohet presioni për tërheqje tek Bideni pas dy gafave të fundit në samitin e NATO-s

Joe Biden – një aleat i fuqishëm i Ukrainës – po përballet me thirrje të reja për t’u larguar nga gara presidenciale pasi gabimisht iu referua Volodymyr Zelenskyt si “presidenti Putin”.

Liderët e pranishëm në sallën e samitit të NATO-s në Uashington ishin dëshmitar të dy gafave kryesore: ku njërën prej tyre iu referua Kamala Harris si “zëvendëspresidentja Trump”.

Kievi do të vëzhgojë me vëmendje se çfarë ndikimi ka kjo në garën presidenciale. Mbështetja e administratës Biden për Ukrainën – si drejtpërdrejt ashtu edhe nëpërmjet NATO-s – ka qenë vendimtare, ndërsa Donald Trump ka vënë në pikëpyetje ndihmën e Amerikës.

Lexo po ashtu Pavarësisht se iu referua Zelenskyt si Putin dhe Trumpit si zëvendëspresident, Biden thotë se nuk do të heq dorë nga kandidimi për president të SHBA-së

Në të vërtetë, në konferencën për shtyp, Biden argumentoi se Trump do të dobësonte NATO-n, raporton skynews.

Presidenti u largua përpara se të përfundonte mendimet gjatë disa përgjigjeve, ndërsa në të tjera, ai dha përgjigje të hollësishme për çështje të tilla si konflikti Izrael-Palestina dhe nevoja që vendet perëndimore të prodhojnë më shumë armë.

Fushata e Bidenit është në shënjestër në javët e fundit, gjegjësisht që prej paraqitjes katastrofale në debat me Trumpin.

Të paktën 16 nga 213 demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një nga 51 Demokratët e Senatit i kanë bërë thirrje publikisht presidentit që të tërhiqet nga gara.

Përfaqësuesi Jim Himes i Konektikatit iu bashkua atij grupi menjëherë pas përfundimit të konferencës për shtyp.

Lexo po ashtu Demokratët shikojnë kah Kamala Harris - por a mund ta mposht Donald Trumpin?

“Ne duhet të paraqesim kandidatin më të fortë të mundshëm për t’u përballur me kërcënimin e paraqitur nga autoritarizmi i premtuar i Trump MAGA. Unë nuk besoj më se ai është Joe Biden”, pohoi ai.

Fushata ka porositur një sondazh për të testuar se si do të shkonte zëvendëspresidentja Kamala Harris nëse do të zëvendësonte Biden si kandidat, tha një burim me njohuri për këtë çështje për AP.

Një sondazh i Reuters/Ipsos javën e kaluar zbuloi se Harris nuk do të ishte më mirë se Biden në një ballafaqim me Trumpin. /Telegrafi/