Sa vjen dhe shtohen edhe më shumë misteret rreth jahtit luksoz turk që u gjend i braktisur dy ditë më parë 15 milje larg Portit të Shëngjinit, por kur nuk dihet ende fati i kapitenit të mjetit lundrues.
Një nga pistat e mundshme tashmë mund të jetë që jahti është përdorur për trafik droge nga Shqipëria në Greqi dhe më andej në Turqi, në zonën turistike të Izmirit dhe Antalias.
Pistë që mbështetet edhe nga raporte të dërguara nga SHISH, që ka informuar policinë dhe prokurorinë e zonës, për një rast të mundshëm të trafikut të drogës dhe emrat e personave që mund të jenë përfshirë në këtë tentative trafiku.
Ditën e sotme drejt Lezhës ka udhëtuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Ambasadës Turke në Tiranë edhe pronari i jahtit, Nedim Akyuz.
Akyuz mësohet të jetë një biznesmen i fuqishëm në fushën e tekstileve në Turqi dhe ka mbërritur në Lezhë për të tërhequr jahtin, por nuk është lejuar nga policia pasi mjeti lundrues është provë materiale.
Në dëshminë e dhënë në polici, Nedim Akyuz, tha se jahti i bllokuar është pronë e tij.
Ai ka shpjeguar se nuk ka qenë në bordin e jahtit, por mjeti drejtohej nga kapiteni, shtetasi turk Sevgin Javuz. Kapiteni sipas Akyuz ka qenë në ishullin e Korfuzit në Greqi, pasi aty ka qëndruar vëllai i Akyuz së bashku me familjen.
“Nga Korfuzi, pasi ka lënë në port familjen e vëllait, kapiteni i jahtit ka udhëtuar i vetëm në drejtim të Malit të Zi, ku në Budva është furnizuar me karburant dhe më pas, ka marrë rrugën sërish të kthimit drejt Korfuzit”- ka rrëfyër në dëshminë e tij Nedim Akyuz.
‘Hera e fundit që kam biseduar me kapitenin e jahtit ka qenë data 6 shtator, ku ai më ka pohuar se ishte duke lundruar në ujërat Shqiptare, pranë zonës së Durrësit, por në det kishte jashtëzakonisht shumë erë dhe lundrimi po bëhej i vështirë…”.
Pas kësaj bisede Nedim Akyuz thotë se ka tentuar disa herë të lidhet në telefon me kapitenin e jahtit por nuk ka mundur. Ai ka treguar në polici se nuk di asgjë rreth rrethanave se çfarë mund të ketë ndodhur apo ku mund të jetë momentalisht kapiteni i jahtit Sevgin Javuz./syri