Komente negative ndaj grave kanë vërshuar pas vrasjes së dy grave brenda katër ditëve në Kosovë. Të njëjtat vlerësohen si de-inkurajuese për gratë gjersa theksohet se censura nuk mund t’i parandalojë në tërësi. Mirëpo, vepra të tilla dënohen nga Kodi Penal i Kosovës.
Vetëm disa ditë pas vrasjes së dy grave nga bashkëshortët e tyre, komentet negative e veçanërisht ato nxitëse, nuk kishin të ndalur.
Të tilla si “ti e ki renin”, “normal që t’vran se janë tranu” e jo vetëm, vërshuan postimet të profileve të ndryshme që reagonin ndaj institucioneve.
Të tilla komente përpos se po cilësohen si nxitëse të rasteve të ndryshme, nga RRGK vlerësohen edhe si demotivim për gratë.
“Ne mund të ndërmarrim masa nëse ndodh online, me raportu në platforma edhe tek institucionet. Por duhet me ditë që një gjuhë e tillë ndikon direkt në deinkurajimin e grave dhe vajzave që të bëhen zë i njëra tjetrës që grate dhe vajzat të kenë frikë të jenë të angazhuara në sferën publike”, tha Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Por, censura e rrjeteve sociale, sipas njohëse të fushës nuk është e mjaftueshme.
“Nuk ka ndonjë shkop magjik që do mund të zgjidhte këtë problem, më shumë ka të bëj me ngritjen e ndër-dijes së qytetarëve si dhe formës së përdorimit të rrjeteve sociale, tek lexuesit, mediat dhe postuesit e rëndomtë. Çdo kush që përdor rrjetet sociale në kundërshtim me legjislacionin dhe politikat e rrjeteve do duhej të ndëshkoheshin. Nga rrjetet sociale do mund të ndëshkoheshin nëse do raportonin disa persona për të”, deklaroi Mentor Hoxhaj, ekspert i IT-së.
Komente të natyrës së tillë, mund të cilësohen si ‘nxitje e urrejtjes dhe përçarjes’ dhe dënohen edhe me Kodin Penal të Kosovës por që sipas juristëve, rastet janë të rralla.
“Kodi penal i Kosovës ka potencuar se janë të përcaktuara dënimet që mund të arrijnë deri në 5 vite. Në rastet kur shkaktohen trazira ose rrethana të tjera, mund të shkojë deri në 10 vite”, tha Florim Shefqeti.
Një 21-vjeçare u vra nga ish-burri i saj brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj javën e kaluar. Katër ditë më vonë, një 43 vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj në Pejë./RTV Dukagjini