Telegrafi

Shtohen rastet me miopi

E parë nga ana praktike, kjo tregon se profesioni i optometristit është me perspektivë. Studimi tregon se gjithnjë e më shumë amerikanë kanë nevojë për lente për të përmirësuar shikimin e tyre.

Personat me miopi mund t’i dallojnë më mirë objektet kur i afrojnë afër syve, ndërsa larg ato duken të zbehta a të errëta. Një analizë nga Instituti Kombëtar amerikan i sëmundjeve të syve tregon se gjatë 3 vjetëve të fundit numri i rasteve të miopisë është rritur ndjeshëm.

Të dhënat më të fundit tregojnë se 42 % e amerikanëve mes moshës 12 – 54 vjeç janë miopë, në krahasim me 25 % në fillim të viteve 1970.

Por në këtë drejtim, amerikanët nuk janë vetëm. Sipas studimit të botuar në Arkivat e Okulistikës, prirje të ngjashme tregojnë edhe studimet nga Azia, Australia dhe Evropa.

Shtrohet pyetja, përse kjo rritje e papritur e rasteve të miopisë? Shkencëtarët kanë teori të shumta të ndryshme. Disa thonë se te një gjen që është përgjegjës për organet e të parit mund të ketë ndodhur ndonjë ndryshim a mutacion që shkakton miopinë.

Disa të tjerë fajësojnë përhapjen e teknologjisë kompjuterike – që i bën njerëzit të qëndrojnë ndoshta me orë të zgjatura me sy të ngulitur në ekranin e kompjuterit.

Fatmirësisht, miopia është një problem që korrigjohet lehtë me syze, lente kontakti dhe me operacion me rreze laser. Por nuk duhet harruar kostoja financiare. Sipas përllogaritjeve, shtimi i rasteve të miopisë ka shtuar me 3 miliardë dollarë shpenzimet e përgjithshme mjekësore. /VoA/Telegrafi/