Telegrafi

Shtohen problemet për Real Madridin, Valverde detyrohet të vetizolohet pas kontaktit me një person me COVID-19

Federico Valverde është detyruar të vetizolohet pasi ka rënë në kontakt me dikë që është pozitiv për COVID-19, megjithëse ai ka testuar negativ në testin e bërë.

Mesfushori uruguaian do të humbasë ndeshjen e Real Madridit kundër Getafe sot (e diel), duke shtuar mungesat e shumta në skuadrën e Zinedine Zidane.

Francezi tashmë është pa Dani Carvajal, Sergio Ramos, Raphael Varane, Lucas Vazquez, Ferland Mendy dhe Eden Hazard për shkak të dëmtimit dhe Casemiro e Nacho Fernandez të pezulluar.

Lexo po ashtu Zidane ka vetëm 13 lojtarë në dispozicion për ndeshjen e Real Madridit në udhëtim te Getafe

Valverde ishte vendosur të zëvendësonte Casemiron në mesfushë në Estadio Coliseum Alfonso Perez, por do të jetë mungesa e radhës për Los Blancos.

Është vet klubi mbretëror që me anë të një njoftimi zyrtar ka njoftuar se Valverde tashmë është vetizoluar.

“Real Madrid C. F informon se lojtari ynë Fede Valverde ka qenë në izolim që dje, të shtunën 17 Prill, pasi ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me një person që ka rezultuar pozitiv për Covid-19, megjithëse lojtari ka rezultuar negativ në të gjitha testet që ai i është nënshtruar”.

“Fede Valverde nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Getafe CF sot”, thuhet në njoftimin e klubit të madh spanjoll. /Telegrafi/