Site icon Telegrafi

Shtohen patrullimet e KFOR-it në vijën kufitare Kosovë-Serbi

Ushtarët e KFOR-it kanë kryer patrullime të shtunën në vijën kufitare Kosovë – Serbi.

Sipas njoftimit të KFOR-it, aktivitetet e tilla ndihmojnë në promovimin e sigurisë për të gjitha komunitetet lokale si dhe konsolidimin e stabilitetit rajonal.

“Sot, ushtarët polakë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit KFOR-it të udhëhequr nga NATO kryen patrullime përgjatë vijës kufitare. Këto aktivitete ndihmojnë në promovimin e sigurisë për të gjitha komunitetet lokale dhe për të konsoliduar stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës KFOR ka njoftuar se pjesëtarë të saj nga Kompania Bullgare e Manovrimit, kanë zhvilluar patrullime në komunën e Leposaviqit.

Në njoftimin e bërë në Facebook thuhet se pjesëtarët patrullues janë nga Batalioni i 2-të i Forcave Rezervë Operacionale Shumëkombëshe të misionit të KFOR-it, ndërsa u tha se këto patrullime janë të rregullta.

“Kjo është pjesë dhe pako përbërëse e përpjekjeve të përditshme të kontingjenteve të KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Aktivitetet e patrullimit nga ushtarët e KFOR-it janë të rëndësishme për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjeve të sigurisë dhe për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët që jetojnë në zonat kufitare.

Patrullimet kryhen në mënyrë të rregullt dhe janë të dizajnuara për të shmangur çdo incident të mundshëm dhe për të ndërhyrë në rast të nevojës për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve.

Prezenca e tyre synon të dërgojë një mesazh të qartë të angazhimit të komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës dhe për të siguruar një kufi të sigurt dhe të qetë për të gjithë banorët e zonës./Telegrafi/

Exit mobile version