Telegrafi

Shtohen masat e sigurisë në veri të Kosovës

Siç raporton BBC, situata është qetësuar pas shtimit të masave të sigurisë, ndërsa zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Besim Hoti nuk ka dhënë hollësi për motivet e dy shpërthimeve të mbrëmshme.

Policia thotë se shpërthimi i parë ka ndodhur në afërsi të një kafeneje në veri të Mitrovicës duke dëmtuar shtatë makina.

Incidenti nxiti reagimin e dhunshëm të një grupi serbësh, të cilët i vunë flakën dyqanit të një shqiptari, në Lagjen e Boshnjakëve.

Shpërthimi i dytë ndërkaq ndodhi në këtë lagje, derisa zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin zjarrin.

Tre nga të lënduarit nga ky shpërthim janë zjarrfikës. Jeta e tyre është jashtë rrezikut, thonë mjekët e spitalit në veri të Mitrovicës.

Ditëve të fundit, veriu i Mitrovicës është përfshirë nga një valë incidentesh të motivuara etnikisht. Më 30 dhjetor, në dy incidente të ndara, një i ri serb dhe një i ri shqiptar u plagosën, ndërsa u dogjën disa dyqane dhe makina të shqiptarëve.

Autoritetet e Kosovës kanë dënuar incidentet në Mitrovicë dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vetëpërmbahen nga dhuna. /bbc/telegrafi/