Daljet e shumta të qytetarëve pa respektuar orarin e qarkullimit, pas heqjes së karantinës në Ferizaj, kanë nxitur Shtabin e Emergjencës të mblidhet sot, herët në mëngjes.
Kjo trupë e drejtuar prej kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ku bëjnë pjesë edhe drejtues të institucioneve shëndetësore e të sigurisë morën vendim që të shtohen kontrollet e prezenca policore në qendrën e qytetit dhe në hyrje-daljet e fshatrave me qëllim kontrollin e qytetarëve që nuk respektojnë kohën e qarkullimit, transmeton Telegrafi.
Pikë tjetër që u diskutua në këtë takim ishte edhe kontrolli i bizneseve nga Inspektorati i Komunës, pas lejimit të punës së tyre, për respektimin e masave mbrojtëse, distancës fizike mes klientëve dhe kushteve të tjera të parapara në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse.
Komuna e Ferizajt u bënë thirrje qytetarëve të respektojnë orarin e qarkullimit, të mbajnë distancën fizike dhe të zbatojnë masat mbrojtëse në të kundërtën kompetentët e policisë do të detyrohen të shqiptojnë gjoba./Telegrafi/