Site icon Telegrafi

Shtohen kërkimet për Adea Shabanin – pasi një aktor që besohet të ketë qenë në lidhje me të, ka vrarë veten pas ndjekjes nga policia

(Foto: Facebook/Adea Shabani)

Aktori Christopher Spotz, i cili besohet të ketë qenë i dashuri i Adea Shabanit, e ka vrarë veten pas ndjekjes me veturë nga policia.

Sipas Fox-11 Los Angeles, policia e kishte ndjekur Spotzin, i cili ka ikur me veturë dhe në fund e ka nxjerrë armën dhe e ka vrarë veten.

(Foto: Facebook/Adea Shabani)

Më pas, zyra e Mjekësisë Ligjore në qarkun Riverside e ka identifikuar atë si aktori Christopher Spotz, 33 vjeçar, nga North Hollywood – ka bërë të ditur CBS.

Spotz kishte drejtuar një veturë Toyota Tacoma të vjedhur, për të cilën autoritetet kanë besuar se është përdorur për një vrasje që ka ndodhur në qarkun e Los Angelesit. Ky informacion është konfirmuar nga një zëdhënës policor në Kaliforni, Dan Olivas.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Adea Shabanin

NBC-4 Los Angeles, duke u thirrur në burime të forcave të rendit, ka raportuar se Spotz ka qenë në lidhje me Adean.

Në fillim të këtij muaji familja e Adeas kishte ofruar shpërblim prej 25.000 dollarësh për ata që jepnin informacion në lidhje me vendndodhjen e 25-vjeçares.

(Foto: Facebook/Adea Shabani)

Për herë të fundit, Shabani është parë më 23 shkurt në Hollywood, ndërsa miqtë e saj kishin filluar të shqetësoheshin nga momenti kur nuk ua kthente mesazhet.

Adea, e cila është nga Maqedonia, kishte shkuar në Los Angeles për të studiuar aktrimin. Sipas KABC, ajo ka qëndruar atje për dy vite.

Pas zhdukjes së aktores, nëna e saj kishte udhëtuar drejt SHBA-ve për ta kërkuar vajzën, ndërsa familja e saj ka angazhuar edhe një hetues privat.

Sot (e shtunë), një zyrtar policie ka thënë për People se kërkimi për Adean po vazhdon dhe se zhdukja e saj është duke u hetuar si rast i një “personi të zhdukur” dhe jo si “vrasje”. /Telegrafi/

Exit mobile version