Pacientët me probleme kardiake janë në rritje të vazhdueshme, duke bërë që Shqipëria tashmë të kalojnë në zonën e kuqe sa i takon shpeshtësisë së sëmundjes në popullatë. Në një intervistë për Euronews Albania, kardiologu Aurel Demiraj shprehet me shqetësim se të rinjtë po preken gjithmonë e më shumë.
“Në të dhënat e fundit 2024, Shqipëria ka zbritur një shkallë, në nuk jemi më në vendet me risk të moderuar, jemi në grupin e vendeve me risk të lartë. Atë që ne po shikojmë në praktikën klinike është ulja e moshës që fillojnë këto probleme”, tha Demiraj.
Pa e kuptuar, të rinjtë po shkojnë në dyert e urgjencave me infarkt të miokardit.
“Në vitet 2000 infarkti i miokardit ishte i zakonshëm në moshat mbi 70 , ekstreme kemi pasur dhe pacientë 18 -17 vjeçar me infarkt. Satistikisht infarktet e miokardit deri në vitin 2000 mosha mesatare ishte 74- 75 vjeç, tani ka rënë shumë më tepër , ka shkuar tek 48 vjeç” tha kardiologu.
Mjekët fajësojnë për këtë situatë mënyrën e të jetuarit, e cila ka ndryshuar tërësisht pas viteve 90.
“Është rritur mirëqenia, por është shtuar jeta sedentare, e keni vë re numrin e makinave përdorimin e tyre, shtimin në peshë, konsumimi i duhanit” tha ai.
Përgjatë një viti, 3000 qytetarë pësojnë infarkt të miokardit, 12% e tyre nuk ja dalin, ndaj mjekët apelojnë për një stil të shëndetshëm jetese, duke nisur nga ushqyerja e deri tek aktiviteti fizik.