Site icon Telegrafi

Shtohen deponitë ilegale në Tetovë (Video)

Deponitë e egra në qytetin e Tetovës nuk kanë fund. Ato sa vijnë e shtohen në çdo cep të këtij qyteti, ndërsa ajo që vështirëson edhe më tepër gjendjen është fakti se të njëjtat ngriten shumë afër vendbanimeve dhe lokacioneve afariste, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Një deponi tjetër është ngritur në mes të banesave, objekteve afariste dhe tokave bujqësore duke shkaktuar kështu pasoja të shumëfishta.

TV Shenja raporton se në këtë lagje banorët dhe afaristët me kontributin personal kanë arritur që të shpëtojnë një pjesë të rrugës të cilën me paratë e veta e kanë shtruar me kubëza, por menjëherë pas përfundimit të pjesës së shtruar rruga është e mbushur me mbeturina të ndryshme si dhe me pellgje që ngelin me ditë të tëra pas çdo reshje të shiut.

Kjo zonë më së shumti përdoret nga bujqit si dhe afaristët të cilët kanë ngritur punëtoritë e tyre në këtë pjesë të qytetit. Por shumica prej tyre nuk pranuan të prononcohen para kamerës, pasi siç thonë ata druajnë nga pasojat që mund t’i kenë. Prapa kamerave ata thonë se pas ankesave tek autoritetet kompetente në vend të zgjidhjes së problemit, janë vizituar nga inspektoriate të ndryshme. Ndërkaq ata që pranuan të flasin, thonë se kjo gjendje tanimë është bërë e padurueshme.

Por deponia nuk është problem i vetëm i banorëve, bujqive dhe afaristëve të kësaj zone. Nëse në fund të rrugës ndodhen mbeturinat, në hyrje të lagjes ata duhet të kalojnë nëpër këtë pellg që ka filluar të ngjasojë në kënetë./Telegrafi/

Exit mobile version