Katër nga pesë të dyshuarit për vrasjen e gazetarit sllovak, Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, Martina Kusnirova një vit më parë, po përballen edhe me akuza për urdhërim të vrasjes së dy prokurorëve dhe një avokati, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters, duke cituar policinë kombëtare të këtij shteti.
Jan dhe e dashura e tij janë vrarë në shkurt të vitit të kaluar. Ai ka qenë gazetari i parë i vrarë në Sllovaki, prej pavarësisë së këtij shteti.
Kjo vrasje pati nxitur protesta masive, që kanë rezultuar me largim të Robert Ficos nga pozita e kryeministrit.
Në rastin e fundit, Prokurori i Përgjithshëm, Jarslav Ciznar, ka thënë në muajin shkurt se ka ekzistuar një plan për vrasje të Peter Sufliarsky, që atë kohë ka qenë zëvendës-prokuror i përgjithshëm, Maros Zilinka, prokuror special, dhe ish-ministri i Brendshëm, që më vonë ka punuar si avokat i familjes, Kuciak, Daniel Lipsic.
Në deklaratën e policisë, inicialet e katër të dyshuarve janë lidhur me emrat e personave të akuzuar për vrasje të gazetarit.
Më 14 mars, biznismeni me ndikim, Marian Kocner është kthyer në të dyshuarin e pestë për vrasjen e gazetarit Kuciak dhe të dashurës së tij, duke u akuzuar për urdhër të vrasjes së dyfishtë.
Kocner dhe tre të dyshuar tjerë kanë mohuar pretendimet, derisa i pesti ka pranuar se ka shtënë me armë zjarri.
Para arrestimit të tij, Kocner ka qenë në burg nga viti 2018, për shkak të disa lidhjeve me krime financiare, për disa prej të cilave kishte shkruar Kuciak. /REL/