Site icon Telegrafi

Shtohen aksidentet në trafikun rrugor të Kosovës

Kjo statistikë është nxjerrë nga Policia e Kosovës për të gjitha llojet e aksidenteve në trafik. 7891 ka qenë totali i aksidenteve për gjashtëmujorin e vitit të kaluar, ndërsa në gjashtëmujorin e këtij viti nga policia janë shënuar 8110 aksidente, ose 2,78 për qind më shumë aksidente.

Lloji i aksidenteve që e ka ngritur epërsinë e tyre sivjet janë aksidentet me dëme, ngase nga 5444 sa ishin vitin e kaluar, këtë vit kanë ndodhur 5730 aksidente, si dhe ato me të lënduar, që për këtë periudhë vjet ishin 3465, kurse tani janë 3527, shkruan “Koha Ditore”.

Këto aksidente kanë ndodhur në trafikun rrugor edhe me gjithë faktin që Policia e Kosovës në këtë gjashtëmujor i ka shqiptuar 19.320 gjoba për ata shoferë që i kanë shkelur rregullat e trafikut, duke e rrezikuar jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë. Vitin e kaluar nga policia qytetarëve u janë shqiptuar 127.097 tiketa, ndërsa këtë vit deri në qershor, 146.417 është numri i tyre, që i bie 15,2 për qind më shumë gjoba. Nëse këtë numër të këtyre tiketave që sivjet janë dhënë e shumëzojmë me minimumin e dënimit që mund të japë policia, pra me numrin 25, atëherë i bie që vetëm për periudhën janar-qershor 2011, qytetarët e Kosovës kanë paguar së paku 3 milionë e 660 mijë e 425 euro./Telegrafi/
 

Exit mobile version