Një grua 27 vjeçe ka ndërruar jetë si pasojë e pickimit nga rriqra.
Nga Instituti për Shëndet Publik njoftojnë se gruaja nga rajoni i Shtipit pas shfaqjes së simptomave, pasi që ka hequr rriqrën në kushte shtëpiake, është trajtuar fillimisht në spitalin e Shtipit, më pas në spitalin e Shkupit, por që nuk i ka mbijetuar dëmtimeve.
“Me datë 27.07.2023 në Laboratorin për Virusologji pranë Institutit për Shëndet Publik është vërtetuar shkaku i hemorragjisë së etheve të kongo-krime-së tek një paciente e cila ishte shtrirë në Klinikën e Infektologjisë. Bëhet fjalë për një grua 27-vjeçe nga fshati Kuçicë i Shtipit e cila ka ndërruar jetë ditën e njëjtë pas përparimit të sëmundjes.
Është bërë anketë epidemiologjike për pacienten, nga ku kemi kuptuar se e njëjta është pickuar nga një rriqër që është hequr në kushte shtëpiake. Pas paraqitjes së simptomave (disa ditë pas pickimit) fillimisht është shtruar në spital në Shtip, më pas në Shkup”, njoftojnë nga ISHP.