Telegrafi

Shtime, kërcënohet gazetari Agim Ademi

Gazetari i Grupit Koha, Agim Ademi, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se ka marrë një kërcënim nga një person me inicialet S.B në Shtime.  

Sipas Ademit, ngjarja ka ndodhur në Godanc derisa po përurohej fillimi i punimeve për ndërtimin e çerdhes publike, dhe se ky person i ka thënë se “nuk guxon më asnjëherë të shkruash asgjë për kryetarin dhe ekzekutivin në Shtime as për njerëzit që funksionojnë rreth tij”.

AGK-ja e dënon këtë kërcënim ndaj gazetarit Ademi dhe e konsideron si të papranueshëm e pengesë për kryerjen e punës së tij profesionale.

“Kjo nuk është hera e parë që Ademi merr kërcënime të ngjashme. Ai e ka njoftuar Policinë në Shtime për kërcënimin, dhe i bëjmë thirrje organeve të rendit që ta ndjekin seriozisht rastin, kurse kryetarit të Shtimes që të distancohet publikisht”, thuhet në njoftimin e asociacionit. /Telegrafi/