Me të vërtetë po ju them, o njerëz, nuk ka asnjë dyshim se miqtë tonë ndërkombëtarë, pasi e përzunë shtetin e dhunshëm serb prej Kosove, e krijuan një shtet të vogël, por shtet model. Me e marrë për “yrnek” kushdo që ka nevojë. Sidomos popujt në nevojë. Një lloj shërbimi social për popujt. Doni shtet? Doni Komb? Ja modeli!
Por, do ti, na u lind me probleme shteti! Disa miq tanët na thoshin: hajt se ne jemi këtu, e nuk i duhen këmbët shtetit. Pastaj u lodhën duke e mbajtur për krahësh shtetin. Sapo na i lëshonin krahët, ne binim. Kështu, si përfundim na i lejuan këmbët.
Tjetri mik thoshte: shtetit nuk i duhen duart. Pastaj, u kujtuan se dikush duhet të nënshkruajë faturën dhe ja lejuan edhe duart, shtetit. Kur u bë me duar, shteti filloi të fuste duart nëpër xhepa, por… kjo është temë tjetër.
Shtetit tuaj nuk i duhen sytë, as veshtë, as hundët, se ne jemi këtu. Ne vëzhgojmë, ne e kapim lepurin për ju – na thanë. Na thanë se Vëllai i Madh na vështron kurdo dhe kudo dhe ne u rehatuam pa e kuptuar fare se lepuri mund të ishim vet ne. Le të na vështrojë vëllai i madh, s’ka gjë.
Në fund fare, edhe shqisat e tjera na i dhanë, me një kufizim të fundit: shtetit tuaj nuk i duhet koka. Në fillim as që e hetuam mungesën. Pastaj, na thanë se do të bjerë një mjegull e madhe dhe askush nuk do ta kuptojë se ku është, por ju ndiqni udhëzimet.
Kështu e krijuam shtetin tonë, modelin universal, për të gjithë popujt e vegjël: të gjitha pjesët i ka, përpos kokës. Por, bisht ka. Bishti është populli. Nuk e pyet askush asgjë. Por, edhe populli është i edukuar: nuk imponohet. Asnjëherë dhe askush nuk e ka pyetur asgjë. Përse të ndryshojë diçka tani. Liria është traumë të cilën e përballojnë vetëm popujt që janë përshtatur me këtë problem. Nejse! Liri kemi boll, falë Zotit, sa nuk po dimë çka të bëjmë me të.
Përpos lirisë, tash, të ndikuar nga mediat, njerëzit po kërkojnë edhe shumëçka tjetër. Më nuk po kërkojnë vetëm bukë. Ju kujtohet ajo poezia që na ndezte gjakrat, nën okupim: “Asgjë nuk duam, nuk, veç armë dhe pak bukë”!? Na e çmontuan edhe poezinë, more mik! Tash bukë ka sa të duash, e armët na i morën. Nuk na duhen armët neve.
Populli tash do hamburger, cheeseburger, eggburger e gjithçka tjetër. Ushqim të shpejtë mik, se nuk ka kohë as populli me humbë. Kush i sheh serialet pastaj.
Nejse… kështu kur e shikon me nge, mirë është, se krejt po thonë se për në Evropë jemi nisë. Apo ishte Europë? Por, diçka nuk po funksionon. Njerëzit po sillen çuditshëm. Është përzier… po e dini!
Tash mos më shtyni të bëhem i pasjellshëm e të plotësojë pikat me ndonjë shprehje nga Parlamenti. Ajo çfarë desha të them është se tashmë po dihet çartë se kush është kush, se miqtë tanë i kanë krejt dosjet, por puna ka shkuar shumë më thellë: nuk po dihet më çka është çka!
Nuk po dihet çka është pozita, e çka opozita. Nuk po dihet çka është as shoqëria civile, e çka analistët e (pa)varur apo gazetarët. Të kujt janë dihet, por çka janë nuk po dihet: a janë politikanë, shoqëri civile, gazetarë? Aq lehtë kalohet prej njërës në tjetrën kategori te ne, sa edhe penjtë duken çartë. Më e keqja: askush nuk skandalizohet. Po e bëjmë modelin.
Nuk po dihet çka është pushteti? Çka është shteti? Çka është opozita? Kush e di le të lajmërohet lirisht në kuizin: Kush do të bëhet milioner? Ose nëpër tryeza ku shteti kërkon mend nga shoqëria civile dhe mediat. Një ditë ky shtet, aq i mirë që është, do të thotë: bëhuni ju koka. Ne do të kalojmë në shoqëri civile dhe media. Pastaj, bota e rrumbullakët është vëlla. Sillet. Paraja e sjell.
Ku është zgjidhja? Në tryezën e hutuar, sepse nuk ishin mësuar asnjëherë të flisnin para publikut, nudo; mungoi vetëm një njeri i cili duhej me patjetër të ishte aty. Ai ditë më parë e kishte trajtuar temën e shtetit dhe të pushtetit, opozitës, shoqërisë civile dhe medias me një person i cili ka vizion se si të dilet nga kriza! Ai e ka caktuar saktë diagnozën. Situata duket e pashpresë.
Por, Burdushi po thotë se situata nuk është aq e pashpresë. Analistë e banalistë të apokalipsit Burdushi i ha për mëngjes. Mos më thoni se nuk e njihni Burdushin?! E njihni, gjithsesi. Është ai që punon të martën dhe të premten, sepse si thotë vet ai: këto ditë janë “plot energji”.
E, Qeveria jonë, mban mbledhje në ditë koti, në ditë pa energji. Prandaj, krejt ky depresion.
Burdushi po thotë se krejt fajet i ka mësyshi. Ai për dallim prej “Vetëvendosjes” e cila po thotë se Qeverinë dhe krejt shtetin e ka kapë krimi, Burdushi po thotë krejt ndryshe: po thotë se i ka kapë mësyshi.
Kur ndalesh dhe e shikon me kujdes dhe paanshëm situatën, do të pajtohesh se ata janë për mësysh. Krejt kremi i oligarkisë tonë është në dy-tri sofra. Bota në Kosovë po qeveris me sofra. Sofra e parë është ajo ku janë të ulur bashkë pozita e opozita dhe bizneset (in)formale. Sofra e dytë mbushur me shoqëri civile, gazetarë, tyxharë, e beqarë. Sofra e tretë… po kush e vë në hesap sofrën e tretë.
Secila parti i ka këta njerëz që shkëlqejnë si yje kinemaje, me familjarë që krijojnë afera dhe mbushin faqet rozë dhe të cilët shtetin e shohin si një instrument “në dorën e klasës sunduese” për me i plotësua krejt dëshirat e tyre.
Ky do të ishte ndoshta edhe një definicion i ri për shtetin, që po të krahasohet me definicionet tona lokale për kombin, ato do të mund të merreshin si kontribut i jashtëzakonshëm për shkencën ndërkombëtare…!
Por, të kthehemi tek Burdushi dhe tek zgjidhja e situatës. Gjysma e punës është te diagnoza. Mësyshi! Qysh me ja heqë mësyshin shtetit, kjo është çështja ?
Me të vërtetë po ju them, o njerëz, se rrugë tjetër nuk ka mbet. Duhet me e mbledh shtetin dhe me e dërgua për terapi, në Prizren, te vet Burdushi. Gjithqysh me ja qëllue ditëve të marte apo të premte, se këto janë ditë më të përshtatshme. Ndoshta do të duhej filluar me kryetarin e Komunës, atje, të cilin gjykata e (ç)liroi disa herë, por populli nuk e besoi. Krejt është punë mësyshi. Pastaj, do të ishte test për me e pa se a po funksionon terapia “antimësysh” që mos me i rrezikua qysh në start asetet më të vlefshme politike të shtetit tonë.
Në fakt, s’ka qare pa funksionu, se alternativë tjetër nuk ka, nëse Burdushi dështon.