Telegrafi

Shteti rrezikon të mbetet pa para

Në ligj parashihet se Kuvendi mund ta autorizojë ndarjen e buxhetit edhe për muajin mars, mirëpo nëse nuk do të formohet shumica parlamentare deri në atë kohë, atëherë çështja e buxhetit do të përfundojë në një “rrugë pa krye”.

Ekspertët thonë se mosmiratimit i buxhetit paraqet një situatë të rëndë për zhvillimin ekonomik të vendit, ku vendi do të ballafaqohet me ngecje ekonomike, ngecje në hapjen e vendeve të reja të punës etj.

Ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ditë më parë është shprehur optimist se shumë shpejt do të formohet Qeveria e re, e cila do të ketë mundësi ta miratojë buxhetin e vitit 2011. Sipas tij, mundësitë ligjore për shfrytëzimin e buxhetit janë për dy muajt e parë të këtij viti dhe me pas Kuvendi i ri do ta miratojë buxhetin e ri.

Në anën tjetër, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, thotë se në rastin më optimist, nëse certifikimi i rezultateve zgjedhore bëhet shumë shpejt dhe nëse Qeveria e re formohet në shpejtësi, atëherë në mars mund të aprovohet buxheti i këtij viti. Sipas tij, kjo qeveri ka legjitimitet ta shpërndajë buxhetin vetëm për 2 muajt e parë. Ai thotë se edhe gjatë muajit të ardhshëm nëse nuk formohet Qeveria, atëherë shteti rrezikon të mbetet pa arkë. /Zëri/Telegrafi/