Me gjithë provat në rritje për të kundërtën, qeveria e Tanzanisë vazhdon të minimizojë ndikimin e coronavirusit në vend.
Madje, sipas BBC, përcjell Telegrafi, ekzistojnë gjithashtu spekulime se presidenti John Magufuli vuan vetë nga Covid-19 dhe po merr trajtim spitalor, megjithëse kjo nuk është konfirmuar.
Asnjë shënim zyrtar
Nuk ka të dhëna të disponueshme publikisht për vdekjet e fundit në Tanzani dhe asnjë informacion nuk është lëshuar mbi ndikimin e coronavirusit që nga maji i vitit të kaluar, kur 500 raste dhe 20 vdekje u raportuan deri në atë moment.
Megjithatë, autoritetet kanë insistuar se ka shumë pak për t’u shqetësuar dhe kanë marrë masa të ashpra kundër atyre që ata akuzojnë për përhapjen e “informacionit të rremë”.
Siç shkruan BBC, kur është kontaktuar zëvendësministri i Shëndetësisë, Godwin Mollel, ai si përgjigje ka dërguar intervistat që ai kishte dhënë më parë, në të cilat ai tha se lëshimi i të dhënave publikisht mund të ishte “joproduktiv” pasi mund të përhapte frikë.
Ai tha se kur zyrtarët analizuan të dhënat nga viti 2020, “të gjithë u markuan se kishin Covid-19 për shkak të panikut që ekzistonte”.
Ministri shtoi se të dhënat duhet të mbahen nga qeveria, të cilat duhet analizuar nga shkencëtarët.
Çfarë po thonë mjekët?
Mjekëve të spitalit u është ndaluar të flasin për sëmundjen në publik.
Sidoqoftë, në një spital të ngarkuar në Dar es Salaam, qyteti më i madh i Tanzanisë, një mjek i tha BBC se kishte një rritje të dukshme të pranimeve të pacientëve që shfaqnin simptoma të frymëmarrjes në përputhje me Covid-19 gjatë dy muajve të fundit, përcjell Telegrafi.
“Ka pasur gjithashtu një rritje të pacientëve që kërkojnë oksigjen”, citohet të ketë shtuar ai.
“Situata ka qenë e njëjtë kudo, si në spitalet publike dhe private. Disa pacientë madje po blejnë oksigjen për përdorim në shtëpi”.
Në mes të shkurtit, Shoqata Mjekësore e Tanzanisë lëshoi një deklaratë të formuluar me kujdes në lidhje me “një rritje të pacientëve me vështirësi në frymëmarrje”.
Por kreu i saj, Dr Shadrack Mwaibambe, vuri në dukje se vështirësitë në frymëmarrje mund të jenë simptoma të gjendjeve të tjera, të tilla si astma, sëmundja e zemrës ose pneumonia, jo vetëm Covid-19.
Rreth gjendjes sa i përket COVID-19, kanë folur edhe disa udhëheqës të kishës, përcjell Telegrafi.
Charles Kitima, i Konferencës Ipeshkvnore të Tanzanisë, ka thënë se më shumë se 25 priftërinj kanë vdekur në vend në dy muajt e fundit, duke treguar simptoma që kanë të bëjnë me Covid-19.
“Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, normalisht për dy muaj ne do të humbnim ndoshta tre ose katër priftërinj për shkak të moshës së vjetër dhe sëmundjeve të tjera. Jemi në një pikë ku duhet të pranojmë se kemi një problem. Coronavirusi është atje”.
Po funeralet?
BBC ka kontaktuar disa nga ata që ishin të përfshirë në biznesin e varrimit.
“Ka qenë vërtet e dhimbshme të shohësh njerëz në një numër të madh duke blerë arkivole”, ka thënë një pronar biznesi funerali në kryeqytet, Dodoma.
Ndërsa një shofer minibusi në një nga qendrat kryesore të transportit të Dodoma tha se shumica e biznesit të tij në janar dhe shkurt kishte përfshirë marrjen e njerëzve në funerale. /Telegrafi/