Trendet e ekonomive të zhvilluara tregojnë se ardhmëria e zhvillimit ekonomik është te sipërmarrja si burim i rritjes ekonomike, hapjes së vendeve të reja të punës dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, shkruan gazeta KOHA.
Vlerësohet se shteti duhet vetëm të krijojë një ambient të favorshëm për hapjen e bizneseve dhe përkrahjen e sipërmarrjes , ndërsa kompanitë në pronësi shtetërore dhe administrata duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe afaristëve.
SHEMBULLI I GJERMANISË
Nga zhvillimi i sipërmarrjes do të ketë dobi edhe shteti, për shkak se do të ulet presioni për t’u punësuar në administratë , do të ulet papunësia, ndërsa shteti do të fitojë më shumë tatime dhe kontribute shoqërore. Një pjesë e këtyre të hollave do të shkojë për obligimet dhe përgjegjësitë që ka shteti ndaj qytetarëve, ndërsa pjesa tjetër për zhvillimin e mëtejshëm të kompanive të vogla dhe të mesme. Duke ilustruar rëndësinë e sipërmarrjes, ekonomistët theksojnë shembullin e Gjermanisë që është aq e zhvilluar, saqë pjesa më e madhe e Prodhimit të Brendshëm Bruto, vjen nga sektori i kompanive të vogla dhe të mesme që shumë më shpejt orientohen ndaj ndryshimeve në treg, ndjekin trendet e reja dhe korrigjojnë gabimet e ndryshme në raport me gjigantet e mëdha ekonomike.
Sipas analistit ekonomik, Zoran Vitanov, trendet botërore tregojnë se ardhmëria e ekonomisë është te zhvillimi i sipërmarrjes, që është edhe shpëtim për ekonominë e Maqedonisë.
“Bota po ndryshon më shpejtë se kurrë më parë, ndërsa me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë, zvogëlohen vendet e sigurta të punës, ndërsa rritet edhe jobarazia në të ardhura. Gjithashtu sa vjen e më shumë njerëz punojnë për të ardhura më të vogla, të punësuarit kanë se vjen e më pak kohë dhe liri, andaj edhe një ndryshim i tillë i ekonomisë domosdoshmërisht do të sjellë edhe te zgjimi i sipërmarrjes tek ne“, thekson për KOHA, Vitanov.
Sipas tij, sikurse sipërmarrja ishte shpëtim për Gjermaninë e pasluftës, kjo mund të jetë shpëtim edhe për Maqedoninë, sidomos pas dëmeve që vendi përjetoi me shkatërrimin e tregut ish jugosllav. Ai shton se problem tjetër te ne është edhe fakti se qytetari i Maqedonisë akoma është i robëruar në matricën mentale se shteti duhet t’ia mbajë gajlen. Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e njerëzve kanë mungesë vizioni dhe vetëbesimi, andaj nuk e shikojnë veten si sipërmarrës, por lidhen te buxhetit si burim i sigurt i të ardhurave, përkundër asaj se ekonomia botërore është aq e ndryshuar, saqë në të vërtetë rrezikojnë ato që kërkojnë punë të sigurt.
Përvojat e shteteve me sipërmarrje të zhvilluar tregojnë se nevojitet që shteti të mbështesë maksimalisht sipërmarrjen, përmes përkrahjes financiare, kushteve ligjore, ambientit të favorshëm. Të gjithë ata që kanë dëshirë, ide, koncept dhe kapital për të investuar dhe realizuar një ide biznesi në ofrimin e shërbimeve që mungojnë në treg, përsosjen e tyre apo zgjidhjes së ndonjë problemi që mundon shoqërinë .
BIZNESE PREJ ZORI
Në ndërkohë, analizat tregojnë se në Maqedoni sfidë e vërtetë e biznesit është të tejkalohet numri i sipërmarrësve në Maqedoni që hapen biznese prej zori në raport me mundësitë. Konsulentët e biznesit dhe afaristët vlerësojnë se në Maqedoni jo që nuk hapen biznese apo zbehet ideja për sipërmarrje, por lulëzimin më të madh të sipërmarrjes e kufizojnë kriza ekonomike dhe politike dhe vartësia e madhe e ekonomisë nga shteti.
“Në Maqedoni ekziston një hendek i madh midis qëllimit për t’u marrë me sipërmarrje dhe aktivitetit sipërmarrës që rezulton me më pak biznese të reja ose e biznese që shpejt rriten. Gjithashtu, edhe vlerat e rrënjosura vendosin theks më të vogël në vetë-realizimin, pavarësinë dhe kreativitetin që janë veçori të ndërmarrjeve të reja, të suksesshme dhe inovative. Gjithashtu me frikën se vjen më të madhe nga dështimi gjatë fillimit të biznesit po shënon rënie edhe numri i kompanive të reja“, thotë profesoresha universitare, Mimoza Serafimova.
Sipas saj, sfidat që duhet të tejkalohen janë shpirti dhe kultura e ulët sipërmarrëse si vlera të biznesit që kërkojnë vëmendje të veçantë që do të ndikonin në numrin e kompanive të reja lidhur me vetëpunësimin. Nevojitet të rritet edhe bashkëpunimi midis komunitetit të biznesit, ofruesit të shërbimeve afariste dhe institucioneve të arsimit të lartë si dhe të ofrohen më shumë informacione për fillimin e biznesit. Nga ana tjetër, afaristët vite me radhë vlerësojnë se rritjen më të madhe ekonomike të vendit e pengon edhe përzierja tepër e madhe e shtetit në rrjedhat ekonomike ku shteti paraqitet si punëdhënësi apo edhe kontraktori më i madh i sektorit privat, përmes realizimit të investimeve të ndryshme kapitale. Sipas konsulentëve të biznesit, nuk mund të thuhet se nuk hapen firma të reja në Maqedoni në sektorë të ndryshëm, por problemi qëndron te vartësia e madhe e ekonomisë nga shteti, i cili është punëdhënësi dhe financuesi më i madh në vend. Gjithashtu shënohet edhe një ikje e madhe e sipërmarrësve potencial që do të hapnin biznese të reja në rast se do qëndronin në vendlindje. Ndryshe, ekonomistët thonë se një ekonomi e suksesshme dhe e shëndoshë duhet të bazohet në sektorin privat, që do të lirohet nga kufizimet, pengesat dhe barrierat e ndryshme, në favor të investimit më të madh të afaristëve vendor.