Telegrafi

Shteti nuk stimulon blerjen e veturave të reja

Qeveria e Kosovës nuk stimulon blerjen e veturave të reja të cila kanë siguri më të madhe në komunikacion, po ashtu nuk e ndotin ambientin. Ngarkesa me Doganë, homologim dhe me taksat të tjera të cilat ngarkohet importuesi një veture të re e bënë jo të favorshëm blerjen e veturave të reja.

Për ketë fakt dhe ngarkesa të tjera sipas shifrave të Doganave të Kosovës, në periudhën janar–mars janë importuar vetëm rreth 200 vetura.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilec, ka thënë për Telegrafin, se kosovarët brenda një viti blejnë mesatarisht deri në 1000 vetura të reja. “Për importin e veturave të reja nuk aplikohet akciza, në këtë rast për këto vetura blerësi është i obliguar të bëjnë vetëm pagesën e doganës, sigurimin dhe regjistrimin veturës. Brenda një viti në Kosovë i importohen 900 deri në 1000 vetura të reja”, ka treguar Stavileci.

Sipas tij, vlera e përgjithshme e importit të veturave të reja shkon afër 15 milionë euro. “Gjatë tri viteve të fundit mesatarja e vlerës së veturave të reja është 15 milionë euro, kurse taksat e paguara për importin e tyre janë mbi 4 milionë euro. Këto 1000 copë vetura kushtojnë rreth 15 milionë euro”, tha Stavileci.

Trendi i importit të veturave të reja sipas statistikave të Doganave të Kosovës është negativ në pjesën e parë të këtij viti. “Gjatë periudhës janar – mars 2015 janë importuar 196 vetura të reja”, ka thënë zëdhënësi Adriatik Stavileci.

Kurse, Baki Abdullahu nga “Baki Automobile”, ka thënë për Telegrafin se që nga mesi i vitit të kaluar trendi i shitjes së makinave është rënës. “Akciza nuk është një lehtësim ku me ditë sa do i madh, pasi pengesë është se një veturë e re duhet të shkojë në homologim pastaj edhe në kontrollim teknik që e rrit koston për 150 euro.

Në vendet e BE-së një veturë e re nuk shkon në kontrollim teknik për 3 vjet e lere me të shkojë në homologia. “Trendi negativ i shitjes së veturave të reja ka vazhduar edhe në pjesën e parë të vitit 2015. Fillimi i këtij viti është katastrofal sa i përket shitjes së këtyre veturave”, tha ai.

Pronari i “Baki Automobile” që është distributor i “Volkswagen” për Kosovës ka thënë se strukturën e blerësve e kanë të përzierë që blejnë vetura të reja.

Baki Abdullahu vendimin e Qeverisë për të hequr kufizimin e importit të veturave e ka quajtur të gabuar. “Me heqjen e këtij kufizimi nuk kanë bërë as gjë pasi që vetëm rritet pasiguria në komunikacione po ashtu edhe ndotja e ambientit nga veturat e vjetra të importuara”, tha ai.

Ndryshe sipas informatave jo zyrtare dogana do të heqet nga viti 2016, pasi që kusht i MSA-së për importin e veturave të reja është heqja e doganës. /Telegrafi/