Gati 10 mijë persona që nuk dëgjojnë fare ose kanë vështirësi në dëgjim, kanë mbetur pothuajse të painformuar rreth masave kundër sëmundjes Covid-19 që është përhapur në Kosovë prej muajit mars. Mungesa e interpretit të gjuhës së shenjave në paraqitjet e Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë që personat e shurdhër të ndjehen të diskriminuar. Ata po kërkojnë të kenë qasje në informacione, sidomos në këtë periudhë të pandemisë.
Rreth të rejave me situatën e krijuar nga Covid-19, kjo kategori është informuar vetëm përmes faqes së shoqatës në platformën online, me video të krijuara nga vet ata.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Kosovare të personave të Shurdhër, Enver Kurtalani në një intervistë për KosovaPress, thotë se ky komunitet është përballur me vështirësi gjatë gjithë kohës prej kur është përhapur coronavirusi.
“I kemi lajmet që janë në RTK, janë pak, ne kërkojmë që të kemi qasje direkte gjatë paraqitjes së ministrisë. Prej fillimit e deri tash, ministritë ose institucionet përkatëse nuk kanë pasur interpret të gjuhës së shenjave gjatë paraqitjes së tyre…. Edhe tani kur e kemi ligjin anti-covid, personat e shurdhër nuk e dinë, edhe me u dënu, ata nuk e dinë me cilin ligj. Ne jemi munduar si shoqatë me i dhënë informacionet nëpërmjet facebook dhe ëebfaqës sonë, edhe pse kemi pasur vështirësi edhe vet, për të gjitha masat të informojmë komunitetin e shurdhër, mirëpo jo sikurse Ministria që e ka përgjegjësi ose Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që t’i informojë këta 9500 persona”, thotë ai.
Ai thotë se kanë dërguar kërkesa në Ministri të Shëndetësisë, por që nuk kanë marrë ndonjë përgjigje deri më tani.
Krejt këtë thotë se po e konsiderojnë diskriminim.
“Kjo është një formë diskriminimi, sepse nuk na është ofruar qasja direkte në informacione sidomos kur ka të bëjë me shëndetin publik të qytetarëve, dhe parandalimin ep andemisë. Si vend nuk kemi pasur, psh Instituti çdo 24 orë i bën paraqitjet mirëpo asnjëherë nuk kemi parë të kenë ndonjë interpret të gjuhës së shenjave që tu japin akses këtyre personave kur e dimë që shumica prej tyre nuk dinë shkrim lexim, dhe është detyrë e qeverisë që kjo të ofrohet”, thotë ai.
Ai thekson se është e drejtë e tyre që përmes gjuhës së shenjave të kenë qasje direkte në informacione, sidomos gjatë periudhës së pandemisë.
Në Kosovë janë rreth pesë mijë persona të shurdhër dhe rreth 4 mijë e 500 të tjerë me dëmtime në dëgjim.