Telegrafi

Shteti në paralizë

Kosova do t’ua shohë sherrin për tërë vitin këtyre tre muajve pa buxhet. Mungesa e investimeve kapitale rrjedhimisht do të ndikojë në rritjen ekonomike, kur dihet se sektori publik është gjeneruesi kryesor i zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, ky nuk është halli i vetëm që e kanë ekonomistët kosovarë, pasi nëse hyhet edhe në muajin mars pa institucione, atëherë rrezikohen edhe pagat për punonjësit e administratës publike.

Me Ligjin për menaxhimin e financave publike, asnjë organizatë buxhetore apo autoritet publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për ndarjet buxhetore. Kjo pikë e Ligjit për menaxhimin e financave publike mund t’i vonojë apo në rastin me të keq t’i ndërpresë shumë projekte të komunave dhe organizatave buxhetore.

Mundësia e vetme në rast se shtyhet miratimi i buxhetit është që Kuvendi, me anë të një vendimi, të autorizojë zgjatjen e Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar. “Në asnjë rast kjo shtyrje nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal”, thuhet në Ligjin për financat publike.

Megjithatë, për vazhdimin e muajit të tretë duhet vendimi i Kuvendit. E nëse nuk është i konstituuar ky organ, atëherë “puna nuk është mirë”.

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë se dëmi i parë që i vihet Kosovës është “paraliza” që i bëhet sektorit publik. “Thënë shkurt, një vend pa arkë paralizon çdo shpenzim dhe investim eventual të planifikuar me kohë dhe kjo në vete mban disa kosto të rënda ekonomike”, tha Abdixhiku. /Express/Telegrafi/