Gentian Gaba
‘Shtet mafioz në duar gangsterësh’ ishte përshkrimi i fortë që gazeta gjermane ‘Bild’, i bënte qeverisë së Edi Ramës në artikullin e publikuar në muajin maj. Pas këtij shkrimi zhurmëmadh, këtë javë e njëjta gazetë publikoi gjashtë përgjime të dosjes 339 fraksion një.
Nga zëri i protagonistëve mësuam, edhe një herë, se si ‘aleanca e qelbësirave’ është tashmë ‘qeveria e qelbësirave’. Përgjime që çajnë terrin e një bote të errët, e cila nuk mund të jetë tjetër veçse edhe më e skëterrtë sesa komunikimet telefonike na lejojnë të marrim me mend.
Sërishmi, protagonistët e kësaj historie shfaqen ngadhënjyes dhe arrogantë. Asnjë hap pas.
Në një shtet normal, fjalën e fundit mbi këto dosje do ta kishte drejtësia. Por, mungesa e ndarjes së pushteteve, mungesa e drejtësisë (jemi pa Gjykatë të Lartë, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Prokurori), na bën qartësisht një vend jonormal. Madje, nuk na bën as shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Shteti, si ‘komunitet juridik’ në të cilin një bashkësi individësh i nënshtrohet të njëjtit legjislacion, të njëjtit autoritet politik, për të mbrojtur lirën e secilit nga shkeljet e pajustifikuara të tjetrit, nuk ekziston më.
Përgjimet faktuan, dhe historia e kësaj mazhorance largon çdo dyshim të arsyeshëm mbi të kundërtën, ekzistencën e një grupi paralel që ka marrë drejtimin e tij. Ka marrë votën, ka marrë administratën publike, ka marrë ekzekutivin, aty ku pushteti i akaparuar përdoret për zbatimin e politikave që nuk përkojnë me interesin e shumicës së qytetarëve.
Rënia e të gjitha atributeve që karakterizojnë shtetin, përfshirë këtu edhe kontrollin e territorit që iu dorëzua së fundmi Frontex-it, na ka sjellë në atë që Hobs ka quajtur ‘gjendja natyrore’. Atë moment që paraprinte krijimin e shtetit modern.
Një stad i cili karakterizohet nga ‘bellum omnium contra omnes’ (lufta e çdo njeriu kundër tjetrit), pasi për Hobsin ‘homo homini lupus’ (njeriu pёr njeriun ёshtё ujk!). Por, gjithmonë sipas Hobsin, njerëzit kanë interes që kjo luftë të pushojë, përndryshe do të jetë i detyruar të kalojë gjithë jetën duke luftuar, i paaftë për të shijuar të mirat për të cilat, në të kundërtën, është i detyruar të luftojë. Për këtë arsye njerëzit krijuan shoqërinë, nënshkruan një kontratë sociale. Hobs e quante ‘Pakti’, me të cilin ata kufizuan lirinë e tyre, duke pranuar rregullat që do të zbatonte Leviathani, pra Shteti. Meqenëse ky ‘pakt’, kjo ‘kontratë sociale’, në këta 28 mijë kilometra katrorë ka rënë; meqenëse jemi në gjendjen e natyrës, ku mbizotëron ligji i më të fortit, ose i gangsterëve, sikurse e përshkruan ‘Bild’, lipset themelimi i një pakti të ri, i një kontrate të re sociale.
Jo si të majtë ose të djathtë, por si njerëz që shohin te një shtet funksional garantuesin e të drejtave të tyre të patjetërsueshme. “Për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë” – thuhet në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-ve.
Veçse kjo kontratë e re sociale është e papajtueshme me ‘shtetin mafioz në duar gangsterësh’, që nuk lejon ngritjen e një ‘qeverie me pëlqimin e të qeverisurve’. Për këtë arsye, përballë përgjimeve të ‘Bild’-it, përballë krimit dhe bedelëve të tij në politikë, duhet ngritur zëri, duhet reaguar dhe protestuar. Që një shtet i të gjithëve të lindë, ky shtet mafioz duhet goditur fort dhe duhet goditur tani!