Grupi militant Shteti Islamik tha se një prej pjesëtarëve të tij ka kryer një sulm me thikë, të premten në Melburn të Australisë, ku një person u vra dhe dy u plagosën.
Shteti Islamik e pranoi përgjegjësinë në ueb-faqen e tij Amaq, por nuk dha prova për pretendimet e tij.
Komisionari i policisë australiane, Graham Ashton, tha se i dyshuari, me prejardhje nga Somalia, ka qenë i njohur për policinë dhe se incidenti po trajtohet si terrorizëm.
Policia tha se ai ka sulmuar tre kalimtarë me thikë, pasi ka dalë nga një kamion, i cili më pas është përfshirë nga flakët, përcjell rel.
Ai po ashtu bëri përpjekje të sulmojë oficerët e policisë, që arritën në vendin e ngjarjes, përpara se të qëllohej nga ta.
I dyshuari vdiq më pas në spital.