Telegrafi

Shteti i jep prioritet diplomacisë ekonomike

Diplomacia ekonomike është njëra ndër prioritetet kryesore të ministrisë së jashtme të Kosovës. Në këtë mënyrë, dikasteri qeveritar që udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi e ka ndërmjet të thith sa më tepër investime të huaja.

Kështu tha të hënën mbrëma, në emisionin “Ekonomia me Erëzën” në Klan Kosova, Ardian Arifaj, këshilltar i numrit dy në ekzekutiv.

Ai shtoi se jo vetëm ministria e Jashtme, por edhe të gjithë sektorët tjerë duhet të vihen në shërbim për të promovuar Kosovën si një destinacion që ja vlen të investohet.

“Kosova nuk është mbrapa me vet faktin se ministri i Punëve të Jashtme e ka vu ne thelb qëllimin e diplomacisë ekonomike, atëherë mund të themi se jemi një hap përpara krahasuar me vendet e tjera të rajonit”, tha Arifaj.

Por, deputetja e Vetëvendosje, Shqipe Pantina, ka reaguar duke thënë se asnjëherë nuk ka dëgjuar për ndonjë plan të mundshëm të qeverisë në lidhje me zhvillimin e diplomacisë ekonomike.

“Për herë të parë po dëgjojë prej Ardianit qe e paskemi një program prej qeverisë, sepse një i tillë nuk ka ardhur ende ne Kuvend, kur kemi votuar qeverinë e re ajo që e ka prezantuar kryeministri ka qene një ekspoze por nuk i dimë ende as sot se cilat janë prioritetet e kësaj qeverie”, tha ajo.

Gjatë debatit, Pantina e Arifaj kanë debatuar edhe rreth protestave të fundit të organizuara nga Vetëvendosje, pasi këshilltari i zëvendëskryeministrit ka thënë se dhuna e protestueseve e ka trembur një investitor kanadez. Por, Pantina i është kundërpërgjigjur duke thënë se investitorët nuk ikin nga protestat, por nga shumë ngecje tjera që kanë ndodh në Kosovë.

Përfaqësuesi i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, Virtyt Ibrahimaga tha se Kosova është larg shteteve fqinje për sa i përket diplomacisë ekonomike.

“Ta marrim shembull bilancin e Maqedonisë me Gjermaninë është pozitiv, përderisa bilanci i Kosovës me shtetet e tjera është minus 81 për qind. Jemi shume larg sa i përket këmbimeve tregtare”, tha ai.
Ligjëruesja e diplomacisë ekonomike, Merita Maliqi foli për aspektin teorik të kësaj fushe. Ajo tha së për të arritur rezultate në këtë drejtim duhet angazhim jo vetëm i ministrive por edhe i ambasadave e odave gjithandej vendit. Sipas saj, rol të madh në këtë aspekt ka edhe bashkëpunimi me biznesmenët.
Gjatë debatit në emisionin “Ekonomia me Erëzën” u tha se për të sjellë sa më shumë investitorë, në radhë të parë duhen plotësuar disa kushte si: infrastruktura, zbatimi i ligjit, politikat doganore e bankare dhe të tjera. /Telegrafi/