Site icon Telegrafi

Shteti fiktiv që nxiti debat “botëror” në mediat e huaja – çfarë dihet për Listenbourg?

U deshën vetëm tre ditë kur një hartë e bërë me photoshop që tregonte Listenbourg-un – një vend imagjinar i ngjitur rastësisht në gadishullin Iberik – që u shfaq në mediet sociale që shakaja të pushtonte botën.

Në fillim, nuk ishte gjë tjetër veçse një goditje ndaj amerikanëve dhe mungesa e supozuar e tyre e njohurisë në gjeografi, raporton EuroNews, përcjell Telegrafi.

“Jam i sigurt se amerikanët nuk e dinë as emrin e këtij vendi”, tha përdoruesi i Twitter-it, Gaspardo më 30 tetor, duke shoqëruar një hartë me një shigjetë të kuqe që i drejtohet pllakës së tokës, e shtuar në Spanjë dhe Portugali dhe me ngjyrë të gjelbër, duke nënkuptuar ky ishte një vend anëtar i BE-së.

Një përdorues tjetër u përgjigj menjëherë: “Kush nuk e njeh Listenbourgun?” – dhe u lind meme-ja.

Çfarë ndodhi me pas?

Në kohën e shkrimit, postimi mblodhi më shumë se 95 mijë pëlqime dhe mijëra shpërndarje në Twitter.

Ndërkohë, disa vendosën ta çojnë shakanë në një nivel tjetër, duke pretenduar se ky shtet ishte në të vërtet real.

Një hartë satelitore me kualitet të lartë zëvendësoi atë origjinalen, derisa në Reddit, një kanal u shfaq shpejt, duke pretenduar se Listenbourg ka garën e saj të Formula 1 dhe se astronautët e tij ishin pjesë e një misioni në Hënë.

Të tjerët u organizuan shpejt rreth asaj që ata pretendojnë se është një “parti e qendrës ekstreme”, udhëheqësi i së cilës u zotua të “përmirësonte imazhin e Listenbourg jashtë vendit”, ndërsa Ministria e saj e Brendshme e supozuar tashmë ofroi përgjigje për çdo pyetje në lidhje me dokumentet e identitetit dhe vizat e saj.

Një tjetër postim në Twitter pretendonte se mbreti i Listenbourg, Listen XV, ishte, në fakt, Mbreti i parë i Diellit, që po luftonte kundër Louis XIV për titullin prestigjioz në vitin 1661.

Një himn kombëtar së bashku me një flamur kuq e bardhë me një shqiponjë të artë u shfaqën në YouTube pothuajse menjëherë në një llogari të supozuar zyrtare të qeverisë së Listenbourg.

Hyrja në Wikipedia franceze për Republikën e Listenburgut, duke elaboruar më tej historinë e saj të supozuar, është hequr që atëherë.

Edhe pse e gjithë kjo është e trilluar, përdoruesit në mediet sociale nuk po heqin dorë, dhe llogari të mëdha, profesionale si ajo e Toulouse Football Club u përfshinë plotësisht në meme.

Shakaja e garës në Formula 1 është marrë dhe mbështetur nga Julien Febreau, një komentator i njohur sportiv francez për Canal+, dhe të tjerë, si ekipi kombëtar francez i hokej-it, po bëjnë kërkesa me ironi që Listenbourg t’ju bashkohet garave ndërkombëtare.

Pse shakaja u bë kaq e madhe në Francë dhe Evropë?

Si shumë shtete të tjera evropiane, Franca ka qenë “viktimë gjeografike” e mediave amerikane, pasi se ato nuk e kanë ditur ku gjendet ky shtet

Në vitin 2005, CNN gabimisht vendosi qytetin Toulouse dhe Strasburg në Zvicër dhe Gjermani.

CNN ka vendosur gjithashtu rajonin ukrainas të Donbasit në Pakistan – shteti ku gjendet në kontinent krejt tjetër – pasi lufta shpërtheu për herë të parë në vendin e Evropës Lindore në vitin 2014.

Sllovakia dhe Sllovenia ngatërrohen me njëra-tjetrën aq shpesh sa kjo e fundit mendoi të ridizajnonte flamurin e saj në vitin 2004 për të ndihmuar në parandalimin e çdo ngatërrimi në të ardhmen.

Dhe pasi të dyshuarit për bomba në Maratonën e Bostonit të vitit 2013 u identifikuan si me prejardhje çeçene, një mori komentesh nga ata që ngatërronin Çeçeninë me Republikën Çeke e detyruan ambasadorin çek në SHBA të sqaronte publikisht ndryshimin midis dy vendeve.

Cilat janë vendet e tjera të famshme që nuk ekzistojnë? 

Molvania është një shembull kryesor i një shteti tjetër krejtësisht të krijuar për të nxjerrë në pah mungesën e vetëdijes – dhe taktit – kur bëhet fjalë për pjesët më pak të njohura të botës.

Shteti imagjinar post-sovjetik i përshkruar si “vendlindja e kollës” ishte një krijim nga një grup komedianësh australianë të njohur si Gjenerata D.

Po kështu, Jugosllovakia – një vend in-ekzistent që doli nga një emërtim i gabuar për Jugosllavinë dhe Sllovakinë – përdoret si shaka për ata që kanë njohuri të mangëta për Evropën Qendrore dhe Lindore.

Borduria dhe Syldavia, të dyja vendet imagjinare të Ballkanit që shfaqen në romanin grafik Aventurat e Tintin, gjithashtu meritojnë të përmenden si vende të përdorura për të nxjerrë në pah stereotipet për pjesët juglindore të kontinentit.

Dhe pastaj është Absurdistan, një term i përdorur nga disidentët sovjetikë për të përshkruar pjesë ose të gjithë BRSS-n dhe shtetet e saj satelitore, veçanërisht nga ish-presidenti çek Vaclav Havel.

Disa mikroshtete të panjohura gjithashtu meritojnë përfshirje, si Mbretëria e Vllahisë në Republikën Çeke, rezultat i një shakaje praktike të përpunuar në vitin 1997.

Një shembull i njohur i vendeve të ngjashme përfshin Republikën e Lituanisë të Užupis në Vilnius, ku banorët e lagjes shpallën shtetin e tyre, së bashku me një flamur, monedhë, kushtetutë dhe president.

Ekziston edhe Republika e Lirë e Liberland, e krijuar nga politikani dhe aktivisti çek Vít Jedlička pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Thuhet se ndodhet në një parcelë toke në Danub midis Kroacisë dhe Serbisë, Liberland ka flamurin, himnin dhe kushtetutën e vet, ndërsa Jedlička ka lëshuar shtetësi dhe pasaporta të mikrokombit që nga viti 2015. /Telegrafi/

Përktheu dhe përshtati: Arigona Bytyçi 

Exit mobile version