Telegrafi

Shteti do ta përkrahë sektorin privat

Ministri Beqaj në një intervistë për “Epokën e re” është zotuar se Qeveria e Kosovës brenda këtij mandati do t’i eliminojë të gjitha këto procedura burokratike.

“Ne i kemi mbi 45 licenca dhe leje që duhet t’i marrë biznesi. Te ne kërkohen 52 ditë për ta hapur një biznes, prej çastit që shkon për ta regjistruar deri ta funksionalizojë atë. Pretendojmë që biznesit t’ia heqim të gjitha këto barriera. Në takimet që i kam pasur me afaristët vendorë dhe ndërkombëtarë, shqetësim kryesor i tyre ka qenë burokracia, funksionimi i kontratave dhe lejet që u marrin shumë kohë”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, bizneset private do të përkrahen edhe me politika të favorshme fiskale, si dhe ky sektor do të fuqizohet edhe duke ia hapur rrugët që të marrë pjesë nëpër projekte të mëdha.
Ministri Beqaj është shprehur i bindur se me një politikë fiskale të re, me heqjen e barrierave për sektorin privat dhe me rritjen e buxhetit për bujqësinë do të arrihet rritja ekonomike 7 deri në 8 për qind. /Telegrafi/