Mu kujtuan disa shokë, dhe mu kujtuan ata shokë që tash janë aq afër e aq larg! Afërsia e idealeve të dikurshme aq e madhe dhe distanca aktuale ideologjike aq e pakapshme, më dha motivin për të shkruar disa rreshta për temën "e ndjeshme": temën e shkëputjes nga e "dikurshmja" e "përbashkët" me të sotmen e "ndarë".
Duke patur parasysh se askush nuk e ka të drejtën të mohojë angazhimin e dikurshëm dhe sakrificat e atëhershme, e sotmja del si pengesë e vlerësimit. Shpesh herë mbulohet kur nënvlerësohet e shkuara e krijuar.
Në çdo kohë, për botën e cila pa ideale asnjëherë nuk mbeti dhe nuk mund të mbetet, përderisa ajo kërkon ndryshimin, dhe si rrjedhim edhe nevojën e përpjekjes, e kaluara mund të mbetet e fuqishme, vetëm në rast se nuk mposhtet përmes paqëndrueshmërisë së karakterit të pakalitur apo mungesës së vetëdijes që e shkakton mosnjohja teorike e jetës!
Ndjenjat e mija ndaj disa individëve përputhen me ndjenjat kundër krejt asaj kategorie, e cila për bazë te jetës e ka gënjeshtrën e mashtrimin, të cilat historia njerëzore i ka urryer dhe do t’i urrejë. Për të realizuar qëllimet e veta, shtresa e pasuruar pas luftës, e përbërë nga "përfaqësuesit e UDB-së", nga ata të politikës "pacifiste" dhe nga "përfaqësuesit" e UÇK-së, ka vënë në dorë gjithë pasurinë kombëtare, duke përfshirë edhe mediat, sidomos televizionet, të cilat i nxjerrin para shikuesve interpretuesit mashtrues të realitetit e dilingjinjët që i shërbejnë interesave të tyre!
Këtu s’ka pyetje si janë pasuruar, sepse në rrethanat si funksionuan gjërat pas luftës në Kosovë, s’ka patur as kushte elementare për një pasurim të ndershëm! Por, duhet ditur edhe një fakt: këto rrethana nuk pikën nga qielli. Ato i krijoi faktori subjektiv, i cili mban përgjegjësinë e krejt avarisë kombëtare të krijimit tepër të ngadalshëm të shtetit dhe stabilizimit edhe më të ngadalshëm të institucioneve të tij.
Intelektualët dhe zanatqinjët të cilët nuk janë shtresa e pasur, u treguan të pavendosur për t’i shkuar deri në fund luftës kundër padrejtësive. Ata, gjatë gjithë kohës mbeten duke justifikuar këto zhvillime me parullën: kështu e ka "demokracia"!
Shtresa e varfër, pa asnjë përvojë shtendërtuese dhe me vetëdijen e robit ndaj të fuqishmit, e trashëguar nga një prapambetje historike për shkak të pushtimit 500 vjeçar, mbeti si e vdekur, u infektua me përkujdesje të veçantë nga politikanët shfrytëzues, duke u mashtruar me teori të ndryshme e duke u përçarë tmerrësisht me metoda të shumëllojshme nacionalizmi, krahinarizmi, familjarizmi… e duke mos kuptuar fare se çfarë po ndodhë.
Sa më shumë që kalon koha, aq më shumë bëhet e papërmbajtur dëshira për një luftë për jetë a vdekje kundër veprimtarisë antishtet dhe antipopull të klasës së pasur!
Ky shkrim i imi ndoshta manifeston zemërimin tonë. Por, zemërimi ynë është parimor dhe i ligjshëm, i bazuar në realitetin e përditshëm. Ndoshta është i parakohshëm, por për ta kuptuar "para kohe" të vërteten e kësaj kohe, në thellësi të saj meritën kryesore e kanë një pjesë e miqve tanë.
Distanca e krijuar me ta (sikur nuk jemi parë kurrë) ka ndikuar në këtë reflektim, që përmban urrejtje të madhe, jo për miqtë, por për shkak të dëshirës që ta shohim shtetin tonë sa më të fuqishëm. Të gjithë ata që i shohim me xhipa, truproje, me pallate e jetë super moderne, na shkaktojnë neveri, e cila buron nga sistemi i padrejtë i ekonomisë së tregut apo i përdorimit në të keqen ekstreme të tij.
Ata i urrejmë sepse ua shohim urrejtjen për neve në sytë e tyre. E vërejmë dhe e ndjejmë përçmimin e tyre të thellë ndaj atyre që s’kanë dhe më duket sikur ua dëgjojmë sharjet nëpër dhëmbë…! Të kërkosh barazi, të kërkosh përparim, të kërkosh drejtësinë, të kërkosh njerëzoren kurrë nuk është kthim prapa.
Tema kundër klasës së pasur (e cila u bë e pasur duke plaçkitur), është aktuale por "e ndaluar" për këtë shoqëri, e cila kujtoj se duke përqafuar ekonominë e tregut e zbuloi botën! Por, meqenëse ndryshimi është larg, atëherë ne duhet të manifestojmë urrejtjen tonë hapur kundër klasës sunduese, e cila sot e përdorë shtetin për të realizuar interesat e ngushta të saj.
Manifestimi i ndjenjave të urrejtjes kundër kësaj klase, në mënyrë të hapur nga ana jonë do t’i shërbejë brezave tjerë, të cilët do ta përmbysin këtë gjendje.
Ka dallime: dikush kishte aftësi të grabiste më pak e dikush më shumë, por në klasën e pasur s’ka bosë me djersë ose të ndershëm! Kjo klasë nxjerrë shumëçka: edhe agjentë të shërbimeve të huaja, edhe mashtrues, edhe idiotë, edhe kriminelë, edhe tradhtarë të atdheut, por vetëm një diçka nuk nxjerrë ose nxjerrë tepër pak: "Tradhtarë të klasës së vet"!
Kosova s’do të ketë paqe e as qetësi, stabilitet as siguri, përderisa shteti drejtohet nga ata që e përdorin atë si instrument për të realizuar interesat e pakicës. Toka është e rrumbullaket, por jo edhe mendja e popullit, e cila lëvizë duke shpërthyer rrethet vicioze!