Telegrafi

Shtetet QUINT-it u bëjnë thirrje deputetëve kosovarë: Merrni pjesë në seancat e Kuvendit

Ambasadat e vendeve të QUINT-it në Prishtinë, përmes një deklarate të përbashkët, ia kanë tërhequr vërejtjen liderëve politikë në Kosovë se duhet t’i japin fund bllokadës politike dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për krijimin e institucioneve.

Në deklaratën e ambasadave të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, shprehet brengosja për situatën politike në Kosovë.

“Jemi të brengosur me situatën politike në Kosovë. Kosova është duke u ballafaquar me shumë sfida, ato të tanishme dhe ato afatgjata duke përfshirë këtu programin e Fondit Monetarë Ndërkombëtarë, situatën energjetike por edhe nevojën për zhvillim ekonomik, fuqizimin e sundimit të ligjit, perspektivën Europiane të Kosovës dhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Qytetarët e Kosovës meritojnë një Kuvend dhe Qeveri për tu ballafaquar me këto sfida”, thuhet në kumtesë, transmeton Telegrafi.

“Është përgjegjësi e liderëve Kosovarë t’i krijojnë këto institucione por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen.

Shpresojmë që liderët Kosovarë, si në politikë ashtu edhe në shoqërinë civile, do të prijnë në zgjedhjen e kësaj çështjeje duke ofruar propozime konkrete. Një parim primar dhe i rëndësishëm është se deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë fillimin e punës së saj”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/