Azerbajxhani është vendi i parë që ka dërguar më së shumti trupa të kërkim-shpëtimit në Turqi pasi u godit nga dy tërmete shkatërruese.
Vendet ende po dërgojnë ekipe kërkim-shpëtimi dhe në mesin tyre është edhe Kosova, e cila tashmë ka dërguar një pjesë të konsiderueshme të personelit të saj. Tridhjetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenden tashmë në vendet e goditura nga tërmeti. Gjatë ditës së djeshme, ushtarët tanë kanë nxjerrë për së gjalli nënë e bijë në qytetin e Hatayt.
Theksojmë se edhe Shqipëria ka dërguar personel në Turqi, ku deri më tani gjenden 63 shqiptarë në kërkim të të mbijetuarve nën gërmadha.
Duke gjykuar nga grafiku i publikuar nga Anadolu Agency, më së shumti shpëtimtarë ka dërguar Azerbajxhani (725) dhe Izraeli (450).
Pastaj janë Franca (204), India (201), Qipro (200), SHBA (159), Hungaria (156), Rusia, Meksika dhe Iraku (150 secila) dhe Koreja e Jugut, e cila dërgoi 118 shpëtimtarë.
Ukraina dërgoi deri në 87 shpëtimtarë pavarësisht situatës së vështirë në vendin e saj. Me to kanë ardhur 18 automjete dhe 10 qen gjurmues.
Informacioni për ndihmën ndryshon shumë shpejt dhe vendet e botës dërgojnë vazhdimisht ekipe shpëtimi.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve aktualisht është 20.720 persona, ndërsa numri i të lënduarve nga tërmeti shkon në dhjetëra mijëra.
Ndryshe, eksperti turk, Ovgun Ahmet Ercan bëri një vlerësim të frikshëm, sipas të cilit nën rrënoja janë 180 mijë persona, kryesisht të vdekur. /Telegrafi/