Qeveria e re duhet të angazhohet në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në procedimin sa më të shpejt të marrëveshjes për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit më Malin e Zi dhe në normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior, thuhet në një deklaratë të përbashkët të shteteve të Kuintit – ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e tyre të plotë.
“Kemi parë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne po ashtu rikujtojmë të gjeturat fillestare të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe presim që Kuvendi i ri të vë si prioritet përgjigjen e vet ndaj rekomandimeve të këtij Misioni.
Ne po ashtu dëshirojmë të japim qëndrimin e shteteve tona lidhur me formimin e Qeverisë. Ashtu siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht – qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Agjendën Evropiane për Reformë, dhe perspektivën më të gjerë Evropiane të Kosovës. Ne nxisim partitë që e formojnë qeverinë e ardhshme që të kenë si prioritete sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjitha pjesët e Kosovës, në mënyrë që të tërhiqen investimet aq shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike.
Ne po ashtu nxisim Qeverinë dhe Kuvendin që të procedojnë, sa më shpejtë që është e mundshme, ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve”. /Telegrafi/