Site icon Telegrafi

Shtetet e Bashkuara tërë shpresat i kanë në miratimin e përdorimit të vaksinës – afro 220 mijë raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit

Në SHBA janë regjistruar 220 mijë raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit, që është afër shifrave më të larta të regjistruar ditëve të fundit, tregojnë të dhënat e mbrëmshme të Universitetit John Hopkins.

Të njëjtën kohë kanë humbur jetën afro 2.500 persona si pasojë e COVID-19. Në anën tjetër autoritetet shëndetësore në SHBA kanë pritur një rritje të tillë pas udhëtimeve të miliona amerikanëve për festën e Ditës së Falënderimeve, pavarësisht thirrjeve të shumta që u janë bërë që të qëndrojnë nëpër shtëpi, transmeton Telegrafi.

Më shumë se 100 mijë persona aktualisht po hospitalizohen nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara. Amerikanët po ballafaqohen me rritjen enorme të rasteve të reja javëve të fundit, kur shumë afër është miratimi i vaksinës kundër coronavirusit.

Vaksina që është prodhuar në laboratorët e Pfizer dhe BioNtech mund të marrë miratimin për përdorim gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa ajo e Moderna gjatë javës së ardhshme.

Në SHBA nga fillimi i pandemisë së coronavirusit janë infektuar 15 milionë njerëz dhe 286 mijë tjerë kanë humbur jetën si pasojë e infeksionit me COVID-19. /Telegrafi/

 

Exit mobile version