Telegrafi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhurojnë Kosovës 50 respiratorë  

Ambasada e Shteteve të Bashkuara, përmes Agjencisë së ShBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i ka dhuruar Kosovës 50 respiratorë, nga më bashkëkohorët për të ndihmuar në luftën kundër COVID-19.

Në njoftimin e Ambasadës amerikane thuhet se ky donacion paraqet realizimin e ofertës zemërgjerë të presidentit Donald Trump për furnizim me pajisje të domosdoshme dhe mbështetë Kosovën në përgjigjen urgjente ndaj pandemisë.

“Respiratorët e markës ‘Vyaire’ të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, pasqyrojnë teknologjinë më të fundit për të cilën ka kërkesë të madhe. Ata janë kompaktë dhe do t’i mundësojnë Kosovës fleksibilitet më të lartë në trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi. Kjo pajisje vitale mund të dëshmohet si shpëtimtare për pacientët mushkëritë e të cilëve nuk funksionojnë si duhet përkundër marrjes se oksigjenit”, thuhet në njoftim.

“Në përgjigje të nevojës së Kosovës për më shumë pajisje mjekësore, Shtetet e Bashkuara po i dhurojnë 50 respiratorë tërësisht të ri dhe nga më bashkëkohorët. Kjo shprehje e partneritetit tonë SHBA-Kosovë është gjithashtu edhe një shembull i shkëlqyeshëm i bashkë dyzimit të zemërgjerësisë amerikane dhe inovacionit të industrisë private amerikane. Shpresojmë që këto aparate mjekësore t’u mundësojnë ofruesve të shërbimeve shëndetësore anembanë Kosovës të shpëtojnë më shumë jetë”, ka thënë ambasadori Philip Kosnett.

Në njoftim thuhet se krahas respiratorëve, USAID-i po financon edhe një pako mbështetëse e cila përfshin pajisjet shoqëruese, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe uebinaret në internet. Uebinaret janë zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Kalifornisë në San Francisko (UCSF) dhe do t’u ndihmojnë punonjësve shëndetësor të Kosovës qe t’i përdorin në mënyrë të duhur dhe të sigurt këta ventilatorë të veçantë.

“Ky donacion ndërton mbi bazën e ndihmës paraprake në vlerë prej 1.6 milion dollarë amerikan që Departamenti i Shtetit i Sh.B.A.-ve dhe USAID-i kanë obliguar për Kosovën, me qëllim të mbështetjes së masave që ajo po merr kundër pandemisë si dhe ofrimit të ndihmës operacionale dhe rritjes se aftësisë reaguese të saj për të ndaluar përhapjen e mëtejme dhe zbutur pasojat e COVID-19”, thuhet më tej. /Telegrafi/