Site icon Telegrafi

Shtetet e Bashkuara pritet të bllokojë importet e disa produkteve nga Kina

Tregtia në port | Foto: Justin Sullivan/Getty Images/Guliver

Një zyrtare e Departamentit amerikan për Dogana dhe Mbrojtje Kufitare ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke përgatitur urdhra për të bllokuar importin e pambukut dhe produkteve të domateve nga rajoni Ksinjiang i Kinës, pas pretendimeve se këto produkte janë prodhuar nga puna e detyrueshme.

Ndihmës-komisionarja ekzekutive e këtij Departamenti, Brenda Smith i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se ndalesat në import do të përfshijnë të gjitha llojet e produkteve që janë me pambuk dhe domate nga ky rajon.

Një zëdhënës i këtij Departamenti ka thënë se njoftimi për këto masa është bërë më 8 shtator, mirëpo është shtyrë për më vonë gjatë kësaj jave për shkak të “planifikimeve”.

Këto veprime pritet të bëhen publike zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë, bashkë me pesë ndalesa tjera. Një vendim i tillë pritet të tensionojë edhe më shumë marrëdhëniet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Kjo pasi Washingtoni veçse ka rritur presionin ndaj Pekinit për trajtimin e myslimanëve ujgurë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë javën e kaluar se kompanitë amerikane “po bëhen të vetëdijshme” për abuzimet me të drejta të njeriut në provincën kineze, teksa ka bërë thirrje për rishqyrtim të mundësive të bërjes biznes atje.

Kina është kritikuar disa herë për vendosje të më shumë se 1 milion ujgurëve dhe anëtarëve tjerë të grupeve etnike myslimane në kampe të përqendrimit në Ksinjiang më 2017.

Kina kanë thënë se kampet janë të nevojshme për riedukim, luftim të terrorizmit dhe ekstremizmit. /REL/

Exit mobile version