Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka bërë të ditur se Administrata për Ushqim dhe Medikamente, e ka aprovuar përdorimin e Remdesivirit, për trajtimin e pacientëve me coronavirus, që janë në gjendje emergjente.
Ky medikament eksperimental, rezultoi i suksesshëm në trajtimin e të sëmurëve me coronavirus, bëri të ditur ditë më parë, kreu i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Anthony Fauci, transmeton Telegrafi.
“Remdesiviri ka efekt të rëndësishëm, në zvogëlimin e kohës së shërimit të pacientit. Ky medikament, mund ta bllokojë virusin”, ka thënë Fauci gjatë një takimi me gazetarë.
Duke parë efektet e këtij medikamenti dhe të gjeturat e ekspertëve, administrata e Trumpit e aprovoi Remdesivirin për trajtimin e të sëmurëve.
Kompania Gilead që e bën prodhimin e këtij medikamenti, ka thënë se do t’i japë 1.5 milion njësi falas, në mënyrë që të trajtohen të prekurit.
Në Shtetet e Bashkuara, numri i të infektuarve me coronavirus ka arritur në 1.13 milion, derisa janë 65,603 viktima. /Telegrafi/