Ndodhi në shtator, por u zbulua këtë të diel nga New York Times.
Qeveria amerikane dëboi fshehurazi dy zyrtarë nga ambasada kineze në shtator pasi ata u përpoqën të hyjnë në një bazë ushtarake në Virxhinia, raportoi New York Times, transmeton Telegrafi.
Gazeta thoshte se do të ishte hera e parë në më shumë se 30 vjet që Uashingtoni ka dëbuar diplomatët kinezë nën dyshimin e spiunazhit.
Besohet se të paktën një nga diplomatët ishte një oficer i inteligjencës që operonte fshehtë, tha New York Times.
Edhe pse nuk ishte e qartë se çfarë po kërkonin këta diplomatë kinez në këtë bazë, spekulohet se qëllimi i tyre ishte të testojnë masat e sigurisë të përdorura në bazë.
Pas incidentit, Departamenti i Shtetit vendosi kufizime në veprimtaritë e diplomatëve kinezë, në ato që u tha se ishte një përgjigje ndaj rregulloreve kineze që kufizonin lëvizjet e diplomatëve amerikanë.
As Uashingtoni dhe Pekini nuk donin ta bënin publik incidentin, që është pjesë e një rritje të aktiviteteve të dyshimta të zyrtarëve kinezë në Shtetet e Bashkuara në muajt e fundit, thanë anëtarët e shërbimeve të inteligjencës amerikane për New York Times.
Episodi është pjesë e përshkallëzimit në rritje të tensioneve midis fuqive dhe dy ekonomive të para në botë, të cilat që nga viti 2018 janë zhytur në një luftë globale tregtare.
Hera e fundit që Shtetet e Bashkuara kishin dëbuar diplomatët kinezë ishte në vitin 1987, kur qeveria e presidentit të atëhershëm Ronald Reagan urdhëroi tërheqjen e dy zyrtarëve nga vendi, të akuzuar për spiunazh. /Telegrafi/