Telegrafi

Shtetasit bullgar i ndalohet hyrja në territorin e Maqedonisë për një vit, e njejta situatë i kishte ndodhur dhe vitin e kaluar

Viktor Stojanov, shtetasi bullgar dhe njëherazi edhe president i fondacionit “Maqedonia”, i cili merret me të drejtat e bullgarëve në Maqedoni, i është ndaluar hyrja në Maqedoni.

Siç raportojnë mediat bullgare, ndalimi i tij nuk është arsyetuar nga pala kufitare.

“Udhëtuam për në Shkup me anëtarët e fondacionit për të pastruar një monument që komuna nuk e mirëmban si duhet. Në kufi më njoftuan gojarisht se kam një vit ndalim për të hyrë në vend. I kam dërguar një kërkesë Ministrisë së Jashtme për të marrë një njoftim zyrtar për arsyen e ndalimit. Janë informuar edhe institucionet evropiane”, tha Stojanov për mediat bullgare.

Ndërsa vitin e kaluar më 27 mars, autoritetet kufitare maqedonase në vendkalimin Deve Bair nuk i lejuan hyrjen Viktor Stojanovit i cili kishte me vete 920 libra “Këngë popullore bullgare nga vëllezërit Milladinov”, të cilat dyshohet se ishin donacion për Qendrën Kulturore dhe Informative Bullgare në Maqedoni.

Për rastin në fjalë akoma nuk kanë reaguar Ministritë e Punëve të Jashtme të të dyja shteteve.