Site icon Telegrafi

Shtet fals

U mblodh kryesia e LDK-së dhe bashkë me kryetarin e saj, Fatmir Sejdiu, vendosën të tërheqin ministrat dhe zëvendës/ministrat e vet nga Qeveria aktuale e Kosovës.

Disa, këtë vendim e quajnë manovrim dhe manipulim për të shpërqendruar vëmendjen e publikut prej zgjedhjeve në LDK në zgjedhjet parlamentare të Kosovës. Nëse del kështu, atëherë Fatmir Sejdiu dhe kryesia e LDK-së po tregojnë që këta nuk e kanë ndërmend të ndërrohen. Për më tepër, po tregojnë që kjo parti është pronë e llapjanëve, se LDK është parti e komunës së Podujevës.

Sido që të jetë, manovrat, manipulimet dhe akrobacionet e fundit të partive politike në Kosovë, nga disa, thuhet që po bëhen për të vendosur një pushtet tjetër në mënyrë që bisedimet e ardhshme Prishtinë-Beograd të kenë së paku legjitimitet kohor. Pra, që në katër vitet e ardhshme të mos ketë zgjedhje në mënyrë që bisedimet të mos pësojnë çarje dhe ndërrime politike në ndërkohë.

Sido që të jetë, asnjë qeveri e derisotme nuk e pat burimin e vet legjitim qytetar-politik nga brenda Kosovës, pra nga qytetarët e Kosovës. Ndërtimet ose konstruktimet politike në Kosovë burojnë nga jashtë. Kjo jo për të radikalizuar situatën (edhe ashtu radikale), por për të sqaruar qëllimin, poentën.

Krijimi, themelimi dhe shpallja e Kosovës shtet nuk ishte vullnet i qytetarëve të Kosovës, por vullnet i ardhur nga jashtë. Po flas për mënyrën dhe kushtet nën të cilat Kosova u shpall shtet. Asnjë kërkesë e qytetarëve të Kosovës si dhe asnjë kriter dhe kusht qytetar-politik nuk u mor parasysh në momentin e shpalljes së Kosovës shtet. Ama asnjë. Përveç terminologjisë “Kosova shtet i pavarur dhe sovran”. Nëse ka diku në botë shtet ku qytetarët e vet nuk pyeten për asgjë, atëherë ky shtet quhet Kosovë. Nëse ka shtet në botë ku qytetarët e vet nuk dinë asgjë, atëherë ky shtet quhet Kosovë. Nëse ka shtet në botë ku qytetarët e saj udhëhiqen nga qeveri jo-kredibile, atëherë ky shtet quhet Kosovë. Kjo është mënyra e ndërtimit të Kosovës shtet të ardhur nga jashtë.

Dua të them, as dreqi nuk ka arsyetim për një lëvizje të tillë të LDK-së që në një ditë vikendi qytetarët e Kosovës ta marrin vesh se nuk kanë Qeveri. Jo në këtë mënyrë. Kjo situatë tregon edhe një herë se politikanët e Kosovës janë në gjendje të japin Kosovën për karrigen. Këtë janë në gjendje ta bëjnë për t’u ikur hulumtimeve policore dhe gjyqësore për korrupsion, si dhe për të pasur burime të të ardhurash miliona euro që u siguron karrigia e quajtur pushtet.

Ishim dëshmitarë se si ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, një politikan me përvojë, jurist dhe profesor (e çka jo tjetër) dinte të kujdesej aq mirë për familjen e vet, për mirëqenien dhe begatinë e tyre të vjelë nga karrigia e pushtetit. Fatmir Sejdiu është ilustrim dhe shembull i zakonshëm dhe i përditshëm i një politikani dhe i një sistemi politik në Kosovë. As Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi nuk janë ndryshe. As ata të AAK-së të cilët e patën pushtetin më përpara.

Po e përsërisë. Kjo situatë tregon që shteti i krijuar i Kosovës nuk e ka bazën e vet të qëndrueshme dhe të fortë sepse nuk është ndërtuar nga qytetari. Ky shtet është kompromisi më i keq i mundshëm mes politikanëve të korruptuar, mes medieve të pasinqerta dhe mes kërkesave të çuditshme të disa organizimeve ndërkombëtare.

Situata aktuale politike po tregon që ky shteti është aq fals saqë një grusht politikanësh mund ta prishin kurdo dhe kudo, si lodrën. Meqë e përmenda lodrën, ekziston një teori shkencore që thotë që lodra e thyer duket më mirë, andaj fëmija ka prirje të natyrshme ta thyej. Në fakt, ky lloj kompromisi bën që Kosova, nga politikanët e Kosovës, nga mediet e pasinqerta dhe nga interesa të caktuara ndërkombëtare, të trajtohet si lodër, pra sipas interesave personale të politikanëve tanë dhe grupeve prej nga vijnë.

Qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës e ka një alternativë të vetme – të bëhet shtet me bazë qytetare.

Exit mobile version