Site icon Telegrafi

Shtesa prej 10 eurosh e pamjaftueshme për nevojat e fëmijëve

Në fillim të muajit nëntor të këtij viti në Kuvendin e Kosovës është miratuar propozim rezoluta për shtesat e fëmijëve por prindërit shumën prej 10 eurosh po e konsiderojnë të pamjaftueshme krahas shpenzimeve mujore të fëmijëve.

Kjo rezolutë parasheh që çdo fëmijë në Kosovë prej 0 deri 16 vjet të gëzojë shtesa çdo muaj duke filluar nga 10 euro në muaj, por kjo ndihmesë nuk është futur fare në buxhetin e vitit 2019, ndonëse inicuesja e saj, deputetja Donika Kada Bujupi thotë se zbatimi i saj do nis në vitin 2019.

Ndërsa, prindërit shumën prej 10 eurosh po e konsiderojnë të pamjaftueshme krahas shpenzimeve mujore të fëmijëve.

Urim Bytyqi, baba i tre fëmijëve shtesat prej 10 eurosh i ka konsideruar si një shaka nga ana e institucioneve.

Bytyqi i cili e ka edhe një vajzë të sëmurë, thotë se 30 euro i kushton vetëm blerja e terapisë për vajzën e tij, duke mos përfshirë shpenzimet tjera.

“Unë i kam tre fëmijë, po i bie muaji 30 euro për tre fëmijë që është hajgare…Po jo more çfarë unë vetëm terapi për vajzën që e kam të shtruar në spital 30 euro më bëhet vetëm një terapi në ditë që e merr…Më mirë hiq, bile të mos mbajmë kurrfarë ymyti”, ka shtuar ky qytetar.

Kundër kësaj shume është shprehur edhe qytetari Labinot Sherifi, i cili u shpreh se me këtë shumë po diskriminohen fëmijët.

Duke shprehur pakënaqësitë e tij ky prind tha se me shumën  prej 10 eurosh fëmijëve nuk mund t’u plotësohen as nevojat minimale. Ai konsideron se 60 euro do ishte shuma më ideale për këto shtesa.

“Ato nuk janë të nevojshme dhe më shumë meritojnë fëmijët së paku 60 euro për fëmijë e përpjetë, ministrat i kanë rrogat nga dy tre mijë euro, kjo është diskriminim për fëmijë, por për mafi është në rregull…Pa marrë parasysh për asnjë gjë nuk i plotëson kushtet”, ka thënë Sherifi.

Krahas kësaj deputetja Donika Kada Bujupi, e cila ka iniciuar miratimin e rezolutës për shtesat e fëmijëve, ka bërë me dije se kjo rezolutë do të fillojë të zbatohet nga viti 2019.

Ndonëse thotë se do ketë kategorizime edhe për këto shtesa, Bujupi premton rritje të kësaj shume të shtesave përgjatë viteve.

“Ne jemi shumë të bindur se ashtu siç kërkohet edhe në pikën dy të kësaj rezolute do të hartohet fillimisht përgjatë vitit 2019, ligji në mënyrë që fëmijët të gëzojnë të drejtat e tyre universale, pra të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës të gëzojnë një shtesë e cila fillimisht është modeste, ashtu edhe siç kemi thënë për shkak të sfidave buxhetore, mirëpo e cila përgjatë viteve do të rritet….00’53 Sipas rezolutës është kërkuar dhe ka qenë një harmonizim ndërmjet grupeve parlamentare që të ketë një kategorizim, pra që t’iu mundësohet fëmijëve fillimisht atyre që kanë më pak të hyra në familje prindërit e tyre, të gëzojnë një shtesë më të lartë, e pastaj të përfshihet do të thotë në një numër sa më të madh të fëmijëve. Ne do të angazhohemi dhe do të kërkojmë që kjo shtesë të përfshijë një numër sa më të madh të fëmijëve gjithmonë duke i kategorizuar varësisht p rej të hyrave”, ka thënë inicuesja e kësaj rezolute.

Por për realizimin e kësaj shtese për fëmijët skeptik është anëtari i Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Shemsi Syla.

Syla i cili është edhe deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje e ka konsideruar absurd fakti se si ky kategorizim nuk është futur fare në buxhetin për vitin 2019.

“Është pak absurde se si një deputet nga koalicioni qeverisës nuk ka mundur ta shtyj përmes Qeverisë që të bëhet kjo të shtyhet dhe aq më tepër kur në buxhet nuk është fare e futur për një kategorizim të tillë, dhe për neve është absurd është kjo se si është bërë, megjithatë ne jemi për shtesa dhe ne kemi qenë dhe kemi plan programin tonë në alternativën tonë që kjo kategorisë të jetë nën mbrojtjen e shtetit…04’12 Ne dyshojmë se kjo nismë do të jetë vërtet e realizueshme ashtu siç duhet dhe që ne gjithnjë e kemi parasysh kategorizimin”, u shpreh ai.

E në Ministrinë e Financave përmes një shkrese zyrtare kanë bërë me dije për KosovaPress se në projekt buxhetin për vitin 2019. nuk kanë ndarë mjete për këtë qëllim.

Sipas tyre shuma e benifiteve për fëmijët do të mbulohet nga fondi për sigurime sociale, i cili do krijohet në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Në projekt buxhetin për vitin 2019 nuk kemi ndarë mjete për këtë qellim. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e ka përgatit koncept dokumentin për rregullimin dhe menaxhimin e fushës se pensioneve dhe benificioneve nga sigurimi social i cili koncept është në dëgjim publik deri me datën 3 dhjetor. Në ketë dokument është parapare krijimi i fondit për sigurime sociale nga i cili fond do të mbulohen shtesat e fëmijëve”, thuhej në porosinë online.

Ndryshe, janë rreth 500 mijë fëmijë në tërë Kosovën që do ta gëzojnë të drejtën e tyre për shtesa.

Exit mobile version