Gjithçka kishte filluar nga një film gjerman që kishte parë djali i tij 7 vjeçar, i cili kishte dhënë këtë ide: të ndërtonte një shtëpi në dru.
Dhjetë vjeçari Miran Xhemajli, nga fshati Rahovicë i Komunës së Ferizajt i cili ka thënë se kjo shtëpi ka qenë ëndërr e tij.
“Jam 10-vjeçar. Ideja për këtë shtëpi më ka ardhur prej se i kam pasur shtatë vjeç. I kam kërkuar babit dhe ai më ka plotësuar këtë dëshirë. Ketë shtëpi e kam parë në filmat gjermanë”, tregon Miran Xhemajli për RTV Dukagjinin.
Shtëpia është ndërtuar para tre viteve. Pronari Naim Xhemajli ka thënë se për ndërtimin e saj i janë dashur vetëm një muaj.
“Ideja ka qenë e djalit të vogël. Është punuar afërsisht për një muaj. Shtëpia është e punuar nga druri i pishës pasi ky dru është mi lehtë për t’u punuar. Lisi ku qëndron shtëpia është bung. Idenë djali e ka marrë nga televizori por neve na është përshtatur edhe lisi. Lartësia e shtëpisë është 6 metra. Brenda i ka 12 metër katrorë. E shfrytëzojmë me familjen. Edhe mysafirët munden ta shfrytëzojnë. Në vikende realizojnë sesione të fotografive e gjëra të ngjashme. Edhe për ditëlindje mund të shfrytëzohet”, thotë Naim Xhemajli, përcjell Telegrafi.
Është ndërtuar fillimisht për dëshirën e familjarëve ndërsa më vonë është shndërruar në shtëpi turistike.
E projektuar në tre kate e gjitha nga druri, secila pjesë ka veçantinë e saj.
“Çdokush që vjen këtu ndahet i kënaqur. Hapësira është e mjaftueshme dhe çdo gjë është e sigurt. Mund të qëndrohet edhe me fëmijë pasi nuk ka ndonjë rrezik”.
Pema në të cilën është e ndërtuar kjo shtëpi, i takon llojit bung, i cili është i vjetër rreth 80 vjet. Edhe para se të ndërtohet shtëpia, ky dru ka qenë shumë i rëndësishëm për familjen Xhemajli.
Mes ajrit të pastër, nga shtëpia e drurit mund të soditësh pamje magjepsëse dhe në të njëjtën kohë të relaksohesh në terasën e saj./Telegrafi/