Industria evropiane e “shtëpive motorike” çdo ditë e më shumë po mbështetet në elektrifikim, e një shembull i tillë është Mercedes-Benz EQV i modifikuar nga kompania zvicerane Soritmo Walter Ruegg PLC, që e shndërroi në shtëpi në rrota.
EQV është “vëllai” i veturës elektrike të klasit V nga Mercedes – e Soritmo ka kryer një sërë modifikimesh për ta shndërruar në një kamp-shtëpizë kompakte, transmeton Telegrafi.
Në ofertë është kulmi që ngritet lart, e aty janë edhe panelet solare që “mbledhin” energji për mbushjen e baterive. Me ngritjen e kulmit ofrohet një hapësirë më e madhe nga brenda – e pasagjerët mund të pushojnë në shtratin që paloset.
Sortimo ofron edhe njësinë e kuzhinës me lavaman, shporet me gaz, frigorifer dhe dollapë. Sesa më i rëndë është EQV-ja e modifikuar për dallim nga versioni standard, për tani nuk dihet.
Aktualisht Mercedes ofron EQV-në në dy motorë. EQV 300 vjen me baterinë 90 kWh që mundëson ngasje me një mbushje të baterisë nga 326 deri në 363 kilometra, derisa EQV 250 me baterinë 60 kWh përshkon nga 213 deri në 236 kilometra. Të dy modelet janë të disponueshëm në treg me një gjatësi nga 5.140 deri në 5370 mm.
EQV posedon sistemin e mençur të navigimit dhe mbushësin e baterisë, ku pronari nuk duhet të brengoset nëse do të zbrazet bateria. Gjithashtu aty është edhe sistemi infotainment MBUX nga Mercedes.
Çmimi që Sortimo e kërkon për këtë furgon nuk është bërë i ditur, por për një EQV 250 në Gjermani duhet ndarë 67.818 euro, derisa ai më i shtrenjtë, EQV 300 nevojiten 72.280. /Telegrafi/