Telegrafi

Komuna e Pejës: Shtëpia e të Moshuarve ku ndodhi rrahja, nuk është në kompetencën tonë

Foto: Ilustrim

Komuna e Pejës nuk ka pranuar të marrë përgjegjësi për rastin e rëndë që ka ndodhur në një shtëpi për të moshuar në këtë qytet, ku është ushtruar dhunë fizike ndaj një të moshuare nga stafi.

Kjo pasi sipas tyre, institucioni është privat, ndërsa toka i është dhënë në shfrytëzim nga komuna.

“Nuk mund të marrim përgjegjësi pasi institucioni është privat dhe komuna vetëm i ka dhënë tokën në shfrytëzim”, ka thënë për Telegrafin Faik Zekaj, zëdhënës i Komunës së Pejës.

VIDEO: Infermierja sulmon fizikisht një grua të moshuar në Pejë

Telegrafi mëson se bëhet fjalë për shtëpinë private të pleqve “Orenda” në Pejë. Telegrafi ka provuar të kontaktojë me këtë institucion disa herë, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Ndryshe, në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet se si disa punonjëse kanë sulmuar një të moshuar, ndërsa ngjarje xhirohet nga të tjerat, e po ashtu dëgjohen edhe të qeshura.

Qytetarët janë shprehur të tronditur nga pamjet, derisa u kanë bërë thirrje autoriteteve që të ndërmarrin masa.

Nga Prokuroria Themelore e Pejës i kanë thënë Telegrafit se prokurori është duke shkuar në vendin e ngjarjes dhe pas procedurave hetimore do të ndërmarr masa ndaj personit ose personave të përfshirë.

Telegrafi gjithashtu ka kontaktuar me Policinë dhe është në pritje të informacioneve./Telegrafi/