Të praruara në arë, krejt punëdore e terzive të famshëm të këtij qyteti, ato ruajnë më shumë se sa historinë e një personaliteti jo të zakonshëm. Në to shkëlqen një kulturë.
Rrobat nuk shfaqen për secilin vizitorë të Muzeut. Për shkak të veçantisë së tyre ato ruhen me kujdes të shtuar, e për shkaqe të sigurisë janë të blinduara. Por i shpërfaqur është artefakti më i moçëm aty.
Një pitos i shekullit të parë të erës sonë, i gjetur në rrethinë të Gjakovës. Këto dyja janë në mesin e rreth 3.500 artefakteve të tjera që ruan ky muze. E të gjitha këto ruhen në një objekt që vetë i takon historisë.
Më shumë se 200 vjet më parë, atë e ndërtuan mjeshtrit dibranë. Është shtëpi luksi. Unike në Kosovë për shkak të dy çardakëve në formë harku. Njëri, ai më i madh dikur u ka takuar burrave, e ai më i vogël grave. Sot të dy janë pjesë e rrëfimit të historisë.
E historia tregon se kjo godinë është ndërtuar në vitin 1810 nga familja Sina. Në vitin 1918 kjo shtëpi është shitur nga pronarët dhe ka kaluar si pronë e Haxhi Osman Boshnjakut. Gjakova e ktheu atë në muze. /Koha Ditore/